Hetimet ndaj agjentëve rusë pas sulmeve në tokën e BE-së arrijnë në qorrsokak

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Hetimet ndaj agjentëve rusë pas sulmeve në tokën e BE-së arrijnë në qorrsokak

Hetimet për agjentët rusë, të cilët u zbuluan se ishin përgjegjës për shpërthimin e depozitave të municioneve në territorin çek dhe bullgar pas hetimeve njëvjeçare, ka të ngjarë të mos shkojnë askund pasi mosbashkëpunimi i Rusisë aktualisht e bën të pamundur sjelljen e këtyre agjentëve para drejtësisë.

Në vitin 2021, qeveria çeke zbuloi se forcat ruse ishin pas shpërthimeve në dy depozita municionesh në qytetin e vogël Vrbětice që vranë dy persona në vitin 2014.

Bullgaria, gjithashtu e shënjestruar nga shpërthimet si dhe helmimet gjatë dekadës së fundit, filloi gjithashtu hetimet.

Por dhjetë vjet më vonë, autoritetet në të dy vendet kanë shtyrë çdo hetim ose veprim të mëtejshëm ligjor pasi ata kanë pak shpresë për të sjellë autorët para drejtësisë

Advertisement

“Autoriteti policor e konsideron të provuar se shpërthimet në dy magazinat në Vrbětice janë kryer nga pjesëtarë të inteligjencës ushtarake ruse, Administrata kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, e njohur me shkurtesën GRU, motivi i të cilit ishte për të parandaluar dërgimin e armëve dhe municioneve në zonat ku ushtria ruse po kryente operacionet e saj”, tha policia çeke të hënën.

Edhe pse hetuesit çek arritën në përfundime të qarta për përfshirjen e forcave ushtarake ruse, ka mungesë bashkëpunimi nga Moska, thekson ministri i Brendshëm çek Vít Rakušan.

Kushtetuta ruse ndalon ekstradimin e qytetarëve rusë, pavarësisht se për çfarë krimi ata akuzohen nga autoritetet e një vendi tjetër.

“Rasti është shtyrë vetëm sepse Rusia refuzon të bashkëpunojë. Nuk ka dyshim se kush i shkaktoi shpërthimet, ata ishin agjentë të GRU-së sipas udhëzimeve të Federatës Ruse”, tha Rakušan gjatë konferencës për shtyp të së hënës.

Advertisement

Të dyshuarit janë aktualisht në territorin rus dhe autoritetet ruse kanë refuzuar të përmbushin kërkesat çeke për të ofruar prova të mëtejshme. Rusia pretendon se pajtueshmëria do të dëmtonte sovranitetin rus, rendin publik dhe interesat shtetërore.

Sipas ministrit çek Rakušan, rasti mund të konsiderohet si një veprim i dhunshëm i shtetit i drejtuar kundër civilëve, domethënë një krim lufte dhe një akt terrorizmi, një pikëpamje që ndan edhe kryeministri çek Petr Fiala.

“Rezultati i hetimit nuk është befasues, por konfirmon qartë atë që të gjithë dyshuam. Inteligjenca ruse ishte pas sulmeve në Vrbětice, dhe Rusia, për rrjedhojë, kreu një sulm terrorist në territorin tonë”, tha Fiala, cituar nga Agjencia Çeke e Lajmeve.

Por në vitin 2021, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se akuzat e Çekisë kundër Rusisë janë “të pabaza dhe kontradiktore”. Autoritetet nuk kanë komentuar pas konferencës për shtyp të së hënës.

Advertisement

Prokurori bullgar – i pafuqishëm

Më 20 nëntor 2023, Prokuroria Bullgare i kërkoi zyrtarisht Kremlinit të dorëzonte tre oficerët rusë të GRU-së, të cilët akuzohen për helmimin e tregtarit të armëve Emilian Gebrev, i cili kishte materiale të ruajtura në Vrbětice në Republikën Çeke.

Tre rusët akuzohen edhe për helmimin e djalit të Gebrevit Hristo dhe drejtorit të prodhimit të kompanisë “Emko” Valentin Tahchiev në vitin 2015.

Ata janë duke u hetuar për vrasje të mbetur në tentativë, rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria e qytetit të Sofjes.

Advertisement

Të akuzuarit janë punonjësit e GRU-së Sergej Fedotov, Georgi Gorshkov dhe Sergej Pavlov, të nxjerrë në dritë për herë të parë nga organizata hetimore “Bellingcat”. Fedotov është gjithashtu në mesin e të dyshuarve për helmimin e agjentit të dyfishtë Sergei Skripal me “Novichok” në Salisbury në vitin 2018.

Prokuroria pretendon se helmimi i tre bullgarëve është kryer pasi dorezat e dyerve të makinës së Gebrevit ishin lyer me helm.

Përveç helmimit, agjentët rusë u akuzuan edhe për disa shpërthime në magazinat ushtarake bullgare që ndodhën gjatë 12 viteve të fundit.

Në këto depozita, u gjendën dhe u shkatërruan produkte ushtarake të destinuara për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, vende të cilat prej vitesh janë në konflikt ushtarak me Rusinë. Një pjesë e këtij municioni i përkiste kompanisë së Gebrevit, Emko.

Advertisement

Pavarësisht këtij aktiviteti të gjerë në territorin bullgar, agjentët rusë po i shpëtojnë dënimit të mundshëm. Sipas një zyrtari anonim të prokurorisë bullgare, autoritetet lokale nuk kanë shpresë se autorët do të dalin para drejtësisë./vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy