Josep Borrell: Agresioni rus, çështje jetë a vdekje. BE do të sigurojë armë për ushtrinë ukrainase

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nga Josep Borrell

Veprimet e Putinit përbëjnë shkelje të parimeve bazë të bashkëekzistencës njerëzore. Ky është momenti për të ngritur zërin dhe kundërshtuar.

Në këtë orë të errët, ndërsa dëshmojmë pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia, si edhe fushatat masive të keqinformimit, është thelbësore të ndajmë faktet nga gënjeshtrat e sajuara për të justifikuar atë çka nuk mund të justifikohet.

Faktet tregojnë se Rusia, një fuqi e madhe bërthamore, ka sulmuar dhe pushtuar fqinjin e tyre paqësor dhe demokratik. Për më tepër, presidenti Putin po kërcënon me hakmarrje ndaj çdo shteti, që planifikon të ndërhyjë për të shpëtuar popullin ukrainas. Përdorimi i forcës dhe kërcënimeve të tilla nuk kanë vend në shekullin e 21-të.

Advertisement

Veprimet e Putinit përbëjnë jo vetëm një dhunim serioz të ligjit ndërkombëtar, por janë gjithashtu në shkelje me parimet bazë të bashkëekzistencës njerëzore. Me zgjedhjen e tij për të rikthyer luftën në Europë, ai po risjell “ligjin e xhunglës,” sipas të cilit, më i forti ka gjithmonë të drejtë. Ukraina nuk është shenjestra e vetme. E tillë është e gjithë Europa dhe rendi botëror bazuar në sistemin e Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar.

Agresioni i tij po merr jetë të pafajshme, ndërsa shtyp dëshirën e popujve për të jetuar në paqe. Janë goditur shenjestra civile në shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, duke detyruar njerëzit të largohen nga vendi. Jemi përballë një katastrofe humanitare në zhvillim e sipër. Për muaj me radhë, ne u përpoqëm si kurrë më parë për të arritur një zgjidhje diplomatike. Megjithatë, Putini i gënjeu në sy të gjithë ata me të cilët u takua, duke pretenduar se edhe atij i interesonte zgjidhja paqësore. Në vend të paqes, ai zgjodhi pushtimin dhe luftën në shkallë të gjerë.

Rusia duhet t’i ndërpresë menjëherë ndërhyrjet ushtarake dhe të tërhiqet pa kushte nga i gjithë territori i Ukrainës. E njëjta thirrje vlen edhe për Bjellorusinë, e cila duhet të ndërpresë sa më parë përfshirjen e saj në këtë agresion, si edhe të respektojë detyrimet e veta ndërkombëtare. BE qëndron e bashkuar në mbështetjen e saj për Ukrainën dhe popullin e saj. Kjo është një çështje jetë a vdekje. Unë po përgatis një paketë emergjence për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës në luftën e tyre.

Komuniteti ndërkombëtar do të izolojë plotësisht Rusinë dhe do ta konsiderojë Putinin përgjegjës për këtë agresion. Jemi duke sanksionuar të gjithë ata, që financojnë luftën dhe do të gjunjëzojmë sistemin bankar rus dhe aksesin e tyre në rezervat ndërkombëtare.

Advertisement

BE dhe partnerët kanë vendosur sanskione të mëdha ndaj Rusisë, duke shenjestruar udhëheqësit e saj, elitat dhe sektorë strategjikë të ekonomisë së Kremlinit. Synimi ynë nuk është të dëmtojmë popullin rus, por të dobësojmë mundësitë e Kremlinit për të financuar luftën e padrejtë. Me këtë zgjedje, ne qëndrojmë në linjë me partnerët dhe aleatët tanë: SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Japoni, Korea e Jugut dhe Australi. Gjithashtu, kemi parë se si shumë vende të botës, përfshirë këtu edhe Mbretëria e Bashkuar, janë bashkuar në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Ne qëndrojmë të bashkuar në anën e duhur të historisë përballë sulmit të paprecedentë të rus ndaj një vendi të lirë e Sovran.

Në përpjekje për të justifikuar krimet e tyre, Kremlini dhe mbështetësit e tij janë angazhuar prej javësh në një fushatë keqinformimi. Kemi dëshmuar se si mediat shtetërore ruse kanë qarkulluar gënjeshtra në rrjetet sociale, duke synuar të mashtrojnë dhe manipulojnë.

Propagandistët e Kremlinit e kanë cilësuar pushtimin si “ndërhyrje e posaçme ushtarake,” por një eufemizëm i tillë cinik nuk mund të fshehë faktin se po dëshmojmë një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës. Pushtim, i cili synon të shtypë lirinë e këtij vendi, qeverinë legjitime dhe strukturat demokratike. Cilësimi i qeverisë së Kievit si “neo-naziste,” apo “rusofobe” është absurd. Në Ukrainë dnalohet çdo shfaqje nazizmi. Kandidatët e ekstremit të djathtë në Ukrainën moderne janë një fenomen i izoluar me një mbështetje minimale dhe e kanë të pamundur të kapërcejnë kufirin e nevojshëm për të hyrë në parlament. Qeveria ukrainase nuk e ka izoluar Donbasin dhe as nuk i aka ndaluar përdorimin e gjuhës dhe kulturës ruse. Donetsku dhe Luhansku nuk janë republika, por rajone ukrainase të kontrolluara nga separatistë me mbështetjen dhe armatim rus.

Kjo është e qartë për ne dhe për shumë rusë. Qysh nga nisja e këtij pushtimi, protesta të guximshme janë mbajtur në qyete të ndryshme ruse, duke kërkuar fundin e agresionit ndaj një vendi paqësor fqinj. I dëgjojmë dhe vlerësojmë këta zëra protestues, ashtu siç shohim mjaft figura të rëndësishme publike në Rusi, që kundërshtojnë këtë pushtim të palogjikshëm.

Advertisement

Unë vijoj të punoj me partnerët tanë kudo në botë për të siguruar koherencën e përgjigjes së komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj sjelljeje të Kremlinit. Më 25 shkurt, Rusia qe e vetmja që vendosi veton ndaj Rezolutës së Këshillit të Sigurimit ndaj agresionit rus në Ukrainë, ndërsa Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan. Vende nga e gjithë bota dënojnë sulmet ruse dhe në Ansamblenë e Përgjithshme, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkojë forcat për t’i dhënë fund agresionit ushtarak rus, dke adoptuar rezolutën.

Me luftën në Ukrainë, bota nuk do të jetë më kurrë njësoj. Tani më tepër se kurrë nevojitet që shoqëritë dhe aleancat të bashkohen për ta ngritur të ardhmen mbi besim, drejtësi dhe liri. Ky është momenti për të kundërshtuar. Forca nuk i jep askujt të drejtë. Nuk i ka dhënë kurrë dhe kurrë nuk do t’i japë. (The Guardian)

Josep Borrell është përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë.

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy