KPK dërgon për inspektim një vendim të gjyqtarit Asim Vokshi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
KPK dërgon për inspektim një vendim të gjyqtarit Asim Vokshi

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Asim Vokshi u konfirmua në detyrë, ndërsa një vendim i tij për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje pasurore, i denoncuar nga një qytetar u dërgua për inspektim të mëtejshëm.

Nga Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 28 shkurt 2020 të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Asim Vokshi dhe të transferojë për inspektim dosjen e një çështje të shqyrtuar prej tij në kohën që shërbente në shkallë të parë.

Trupi gjykues i përbërë nga Genta Tafa (Bungo) kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Suela Zhegu anëtare argumentojnë në vendimin e zbardhur se gjetjet për këtë çështje të denoncuar nga publiku nuk janë të mjaftueshme për shkarkimin e tij. Gjyqtari Vokshi u vlerësua pozitivisht për pasurinë dhe pastërtinë e figures.

Advertisement

Asim Vokshi ka mbaruar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka filluar të punojë si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2016, Vokshi është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Paralelisht me funksionin si gjyqtar, Asim Vokshi është angazhuar edhe në mësimdhënie si lektor në fakultetin e Drejtësisë dhe në Shkollën e Magjistraturës. Në vitet 2012-2013, ai ka kryer studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e programit Fullbright.

Nga 20 denoncimet e publikut, KPK argumenton se 19 prej tyre nuk përmbajnë fakte apo rrethana që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit për Vokshin. Komisioni veçon denoncimin e kryer nga shtetasi F.Xh, ku sipas trupit gjykues janë konstatuar disa probleme. Denoncuesi ankohet për shkelje të etikës dhe zvarritje të procesit gjyqësor, duke pretenduar se subjekti nuk ka zbatuar ligjin material dhe procedural në gjykimin e çështjes dhe në arsyetimin e vendimit, duke mos marrë për bazë pretendimet e tij.

Denoncuesi ka humbur një çështje pronësie të gjykuar nga Vokshi lidhur me një apartament me sipërfaqe 26.5 m2 dhe truall 345 m2, mbi të cilën është ndërtuar një ndërtesë.

Me vendimin e datës 23 dhjetor 2011, Vokshi ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë, ndërkohë që Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur një vit më vonë prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe pushimin e gjykimit të çështjes. Gjykata e Apelit ka konkluduar se qëndrimi i mbajtur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është rrjedhojë e interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit material dhe procedural. “Gjykimi i kërkesë-padisë cënon sigurinë juridike, duke shkelur rëndë parimin e gjësë së gjykuar”, citohet konkluzioni i Gjykatës së Apelit Tiranë.

Advertisement

Komisioni paraqet në vendim edhe qëndrimin e gjyqtarit Vokshi, i cili ka argumentuar se padia që rrjedh nga kontrata e lidhur midis palëve, nuk është e njëjtë me atë për pjesëtimin e sendit midis të njëjtave palë, duke theksuar se ndryshonte jo vetëm objekti, por edhe shkaku i padisë.

Vokshi ka sqaruar se nuk është cënuar parimi i gjësë së gjykuar, pasi në rastin konkret objekt gjykimi ishte një kontratë noteriale, me anë të së cilës palët zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre pasurore.

Komisioni çmon se kjo çështje duhet të transferohet pranë organit kompetent për inspektim, për të verifikuar nëse evidentohen shkaqe që përbëjnë shkelje disiplinore.

“Në të gjitha çështjet e analizuara, subjekti shfaq aftësi në drejtim të interpretimit dhe zbatimit të ligjit, si dhe në kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale për organizimin e procesit gjyqësor,” thuhet në vendimin e KPK-së. “Gjithashtu, çështja e përmendur nuk përbën shkak që mund ta çonte trupin gjykues në përfundimin se subjekti i vlerësimit ka cënuar besimin e publikut te dhënia e drejtësisë,” shton Komisioni.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy