Macron ndez debatin, pas deklaratës se do u “nxijë jetën” të pavaksinuarve

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Macron ndez debatin, pas deklaratës se do u “nxijë jetën” të pavaksinuarve

Infektimet me korona kanë vazhduar të kapin maja të reja në Francë. Për të thyer valën, presidenti Macron do t’ua vështirësojë jetën të pavaksinuarve dhe do të kufizojë rrezen e veprimit të tyre.

Ai do të kufizojë sa më shumë që të jetë e mundur “qasjen në aktivitetet e jetës sociale” për të pavaksinuarit dhe refuzuesit e vaksinimit, deklaroi kreu i shtetit francez Emmanuel Macron në një intervistë për gazetën “Le Parisien”. “Unë kam shumë qejf t’i nervozoj të pavaksinuarit”, shtoi Macron-i. Kjo është arsyeja pse qeveria e tij do të vazhdojë ta bëjë këtë “deri në fund”.

“Nuk do t’i fus në burg, nuk do t’i vaksinoj me detyrim. Dhe prandaj duhet t’u themi: nga 15 janari nuk mund të shkoni më në restorant, nuk do të mundeni të pini një gotë verë në një lokal, nuk do të shkoni dot më për një kafe, nuk do të mund të shkoni më në teatër, nuk do të mund të shkoni më në kinema”.

Zgjedhja e fjalëve nga Macroni ndez debatin

Advertisement

Vërejtjet e ashpra të Macronit, më pak se katër muaj nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale, shkaktuan protestë nga opozita. “Një president nuk duhet të thotë gjëra të tilla”, shkroi në Twitter kandidatja e ekstremit të djathtë për presidencën e Rassemblement, Marine Le Pen: “Emmanuel Macron nuk është i denjë për detyrën e tij”. Bruno Retailleau, kreu i grupit konservator republikan në Senat, tha se asnjë emergjencë shëndetësore nuk e justifikonte një zgjedhje të tillë fjalësh.

Në intervistën për “Le Parisien”, Macroni foli edhe për kandidaturën e tij të mundshme për zgjedhjet presidenciale të prillit. Ai e përfytyron shumë mirë të kandidojë për rizgjedhje, tha 44-vjeçari, por nuk e shpalli kandidaturën shprehimisht. Në Francë, megjithatë, kjo shihet vetëm si çështje kohe.

Opozita vonon zbatimin në plan të gjerë të rregullave të 2G

Në parlamentin francez po zhvillohet aktualisht një debat i ashpër për futjen e një dëshmie vaksinimi kundër koronas. Opozita papritur e vonoi të martën projektin.

Advertisement

Përballë rritjes së numrit të infektimeve me korona, qeveria e Parisit dëshiron të forcojë shpejt rregullat e hyrjes, për shembull për restorantet dhe bizneset kulturore, por edhe për qendrat tregtare dhe transportin publik ndërurban. Aktualisht atje është ende në fuqi “3G”, dëshmia përgjithësisht jepet me një të ashtuquajtur “pasaportë shëndetësore”.

Në të ardhmen, nuk do të mjaftojë më vetëm një test negativ i koronavirusit për të marrë pjesë në jetën publike. Vetëm personat që janë vaksinuar plotësisht kundër virusit të koronas ose që kanë statusin e një personi të shëruar – i quajtur “2G” – do të mund të hyjnë në shumë vende.

Numri i rasteve po rritet prej javësh

Të martën në mbrëmje, Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik në Paris njoftoi një kulm të ri ditor prej më shumë se 270.000 infektimesh të reja. Ndërkohë në Francë dominon varianti veçanërisht ngjitës i virusit Omikron. Incidenca shtatëditore – pra numri i infektimeve të reja në një javë për 100.000 vetë – është 1851. 3600 pacientë me COVID-19 ndodhen në kujdes intensiv, rreth dhjetë për qind më shumë se javën e kaluar. Rreth 80 për qind e tyre nuk janë të vaksinuar, sipas të dhënave zyrtare.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy