Moska përshëndet planet e Uashingtonit për të zgjatur afatin e traktatit për armët

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Moska përshëndet planet e Uashingtonit për të zgjatur afatin e traktatit për armët

Rusia përshëndeti të premten njoftimin e administratës së presidentit Joe Biden se po kërkon një zgjatje pesë vjeçare të traktatit të ri të kontrollit të armëve START, që skadon më 5 shkurt. Kremlini tha se po pret të shohë detajet. Duke folur para gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov, tha se Rusia “veçse mund të mirëpresë vullnetin politik për të zgjatur afatin e paktit”, duke shtuar se “gjithçka do të varet nga detajet e propozimit”. Senatori amerikan Bob Menendez, kryetari i ri i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, lëshoi një deklaratë në mbështetje të lëvizjes së administratës.

Traktati i ri START “është thelbësor për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ai kufizon forcat strategjike bërthamore të Rusisë, siguron masa të forta dhe të hollësishme verifikimi për  ë siguruar që Rusia t’i përmbahet angazhimeve të saj dhe u garanton Shteteve të Bashkuara fleksibilitetin e duhur për të luajtin rolin e frenuesit bërthamor, në mënyrë të sigurt, moderne dhe efektive, ” tha Senatori Menendez. Megjithatë ai shtoi se administrata “duhet të përballet me një Rusi revanshiste” që vazhdon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

“Unë pres një përgjigje të fortë nga administrata ndaj sulmit kibernetik kundër SolarWinds, sulmeve të Kremlinit ndaj procesit tonë zgjedhor dhe përpjekjeve të tij brutale për t’i mbyllur gojën dhe për të vrarë opozitën politike,” tha zoti Menendez. Në fushatë vitin e kaluar, zoti Biden la të kuptohej se synonte ta ruante traktatin.

Pavarësisht propozimit për traktatin START, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të enjten se presidenti Biden është i përkushtuar të vërë para përgjegjësisë Rusinë për disa “veprime të pamatura dhe armiqësore”, përfshirë sulmin kibernetik që mendohet se ka ndërmarrë ndaj kompanisë SolarWinds; ndërhyrja në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe helmimin e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Po të enjten, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të zgjasin afatin e traktatit dhe ta zgjerojnë atë. “Nuk duhet të përfundojmë në një situatë pa asnjë kufizim për mbushjet bërthamore, kur traktati i ri START të skadojë brenda ditësh,” u tha zoti Stoltenberg gazetarëve në Bruksel. “Një zgjatje e tij nuk është fundi, është fillimi i përpjekjeve tona për të forcuar më tej kontrollin e armëve,” tha zoti Stoltenberg.

Advertisement

Traktati u nënshkrua në vitin 2010 nga presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama dhe presidenti i atëhershëm rus Dmitry Medvedev. Sipas paktit, secili vend nuk mund të ketë më shumë se 1,550 mbushje bërthamore të dislokuara. Ish- Presidenti Donald Trump e kishte sulmuar marrëveshjen, duke pretenduar se ajo i vendoste Shtetet e Bashkuara në disavantazh.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy