Namik Ajazi dhe Visar Zhiti bëjnë film historinë e vërtetë të Revoltës së Spaçit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Namik Ajazi dhe Visar Zhiti bëjnë film historinë e vërtetë të Revoltës së Spaçit

Është ende në punë e sipër, është ende projekt ide, por krijimet e reja përbëjnë gjithmonë lajm. Kineasti dhe regjisori Namik Ajazi, i ftuar në “ABC-ja e mëngjesit”, në një intervistë me Enkel Demin, tregoi planet për projektin e ri dedikuar Revoltës së Spaçit që këto ditë 21-23 maj ka 47-vjetorin.

Regjisori tregon se ideja i erdhi natyrshëm 2 vjet më parë, në postproduksionin e një filmi tjetër dhe i propozoi Visar Zhitit të bënte skenarin.

Ky është edhe detaji më interesant i këtij krijimi: Ajazi dhe Zhiti janë të dy ish-të burgosur politikë.

Namik Ajazi tregoi përgjatë intervistës se vetë Visari ka qenë edhe dëshmitar i revoltës pasi ka qenë i burgosur në 1973-shin. “Unë nuk kam qenë dëshmitar, unë jam dënuar në ’87, Visari ka dalë nga burgu në ’86-ën, ai e ka përjetuar kryengritjen”, tha Ajazi.

Advertisement

Regjisori zbuloi edhe titullin: “Do të quhet me titullin provizor “Kryengritje në ferr”, sepse Spaçi, si gjithë burgjet e tjerë ishte një ferr i mirëfilltë.

Sfida më e madhe është krijimi i një burgu nga e para, në mungesë të një burgu muze që do ndihmonte për realizimin e skenave.

“Duhet ndërtuar një burg nga e para dhe ne nuk e kemi. Filmi është akoma si ide, është përfunduar skenari letrar, po punojmë ta bëjmë teknik. Do ta paraqes pastaj për të gjetur buxhetin dhe kastin që i duhet me 45 personazhe dhe 300 figurantë”, tha regjisori Namik Ajazi.

Kjo nuk është hera e parë që krijimtaria e tij bazohet në ngjarje të vërteta. Edhe dy filmat e fundit me metrazh të gjatë “Amanet” dhe “Portret i Pambaruar” ishin ndërtuar mbi ngjarje reale.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy