Një ndërtesë e lartë biznesi në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, është goditur sërish nga një sulm me dron, tha kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, mëngjesin e 1 gushtit.
Disa dronë u rrëzuan gjatë natës, tha ai, por “njëri e goditi të njëjtën ndërtesë të lartë” në kompleksin Moskva City, i cili ishte sulmuar edhe të dielën.
Fasada e ndërtesës është dëmtuar në katin e 21-të, theksoi kryetari.
Nuk raportohet për të lënduar.
“Disa dronë u rrëzuan nga sistemet mbrojtëse ajrore derisa po tentonin të arrinin në Moskë. Njëri e goditi të njëjtën ndërtesë në qytet sikur herën e kaluar”, shkroi Sobyanin në rrjetin social Telegram.
Ai po i referohej ndërtesës që ishte goditur nga një sulm i mëparshëm me dronë të dielën.
Aeroporti ndërkombëtar Vnukovo në Moskë u mbyll përkohësisht pas sulmit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka akuzuar Ukrainën për sulmin. Kievi nuk i komenton këto cështje zakonisht.
Zyrtarët rusë thanë të hënën se tre dronë ukrainas e sulmuan Moskën mëngjesin e 30 korrikut, duke e plagosur një roje sigurie.
Moska e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën se ka kryer sulme me dronë në territorin e saj në muajt e fundit, përfshirë një në Kremlin – vendbanimin e presidentit Vladimir Putin në kryeqytet – në muajin maj.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e quajti atë “tentim sulm terrorist” dhe pretendoi se një dron u rrëzua dhe dy të tjerët u bllokuan, duke u përplasur pastaj në kompleksin prestigjioz të biznesit në Moskë, Moskva-Citi.
Megjithëse zyrtarët ukrainas nuk kanë marrë përgjegjesi për sulme specifike, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se është “e pashmangshme” se “lufta” në Rusi do të ndodhë, pasi autoritetet ruse u detyruan ta mbyllin përkohësisht njëri prej katër aeroporteve më të mëdha në Moskë, pas sulmeve të 30 korrikut.
“Dalëngadalë, lufta po rikthehet në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake. Dhe kjo është e pashmangshme, e natyrshme, dhe plotësisht e drejtë”, tha Zelensky gjatë një vizite në qytetin Ivano-Frankivsk më 30 korrik.
Zelensky i paralajmëroi ukrainasit, po ashtu, se ata duhet të jenë të gatshëm për sulme shtesë nga Rusia në infrastrukturën e vendit dhe të përgatiten tani për muajt e dimrit.
“Ukraina po forcohet”, tha ai. “Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se, tamam sikur vitin e kaluar, terroristët rusë mund ta sulmojnë sektorin tonë të energjisë dhe objektet e rëndësishme këtë dimër”.
Rusia e ka nisur pushtimin e plotë dhe pajustifikueshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ky ishte sulmi i pestë me dron në kohët e fundit brenda territorit rus./R.E.L