Nis gjyqi ndaj ushtarit të parë rus të dyshuar për vrasjen e civilëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Nis gjyqi ndaj ushtarit të parë rus të dyshuar për vrasjen e civilëve

Autoritetet ukrainase kanë nisur gjyqin e parë ndaj një ushtari rus të akuzuar për vrasjen e një civili ukrainas gjatë pushtimit të paprovokuar të Rusisë

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venedikova deklaroi në Facebook më 11 maj, se i dyshuari akuzohet për vrasjen e një civili 62 vjeçar që po ngiste biçikletën e tij në fshatin Chupakhivka në rajonin verilindor të Sumy.

Advertisement

“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dërgoi në gjykatë çështjen ndaj Vadim Shishimarin, komandantit të njësisë ushtarake të brigadës 32010 të njohur si Divizioni i Katërt i Tankeve të rajonit të Moskës”, shkroi Venediktova.

Sipas prokurores Venediktova, i dyshuari 21 vjeçar, i cili ndodhet nën masë sigurie nga autoritetet ukrainase, mund të përballet me burgim të përjetshëm nëse dënohet për vrasje. Javën e kaluar, Venediktova bëri të ditur emrin e ushtarit të parë rus të dyshuar për torturë dhe vrasjen e civilëve në qytetin e Buça-s, në afërsi të Kievit, gjatë javëve të para të pushtimit.

Advertisement

Venediktova e identifikoi të dyshuarin në fjalë si komandantin e njësisë së Gardës Kombëtare të Rusisë, Sergei Kolotsei, i cili u informua që ishte i dyshuar. Muajin e kaluar, Venediktova identifikoi 10 ushtarë të brigadës së 64-t të këmbësorisë në forcat e armatosura të Rusisë, duke thënë se ata dyshohen “për mizori ndaj civilëve dhe krime të tjera të luftës”, duke shtuar se hetuesit ukrainas vazhdojnë të mbledhin prova dhe se ata të bërë publikë janë vetëm të parët.

Ajo tha gjithashtu në atë kohë se hetimet janë duke u zhvilluar për të zbuluar nëse 10 rusët morën pjesë në vrasjen e civilëve në Buça. Tërheqja e forcave ruse nga Buça dhe nga qytetet e tjera pranë Kievit zbuloi prova rrëqethëse të vrasjeve brutale, torturave, varreve masive dhe shënjestrimin pa dallim të civilëve në luftime, duke nxitur thirrje nga disa vende, si dhe nga Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, për të nisur hetime dhe për të përcaktuar nëse janë kryer krime lufte.

Advertisement

Më 5 maj, Policia Kombëtare e Ukrainës tha se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, ka nisur më shumë se 10,000 hetime për krime lufte që dyshohet se janë kryer nga trupat ruse në Ukrainë./R.E.L

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy