
Ushqyerja e pamjaftueshme e grave shtatzëna dhe e foshnjave në Rripin e Gazës do të ketë pasoja të rënda që do të ndihen për breza të tërë, ka paralajmëruar një zyrtar i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Sipas tij, shumë fëmijë që kanë lindur ose po lindin aktualisht mund të përballen me probleme serioze shëndetësore gjatë gjithë jetës.
Duke folur në një konferencë shtypi në selinë e OKB-së në Nju Jork, pas një vizite pesëditore në Jerusalemin, Bregun Perëndimor dhe Gazë, ku qëndroi për rreth pesë orë zyrtari i UNFPA-së, Andrew Sumberton, e përshkroi gjendjen në territorin palestinez si “skenë nga një film distopik”.
Ai theksoi se një në katër banorë të Gazës vuan nga uria, mes tyre të paktën 11.500 gra shtatzëna. Si pasojë, 70% e foshnjave lindin para kohe ose me peshë shumë të ulët një shifër që para tetorit 2023 ishte vetëm 20%.
Njësitë për kujdesin e të porsalindurve janë tejmbushur, duke funksionuar në 170% të kapacitetit të tyre, çka detyron personelin të vendosë disa foshnja në të njëjtën inkubator. Një në tre shtatzëni konsiderohet me “rrezik të lartë”, ndërsa niveli i vdekshmërisë amtare është gjithashtu i lartë.
“Problemi më i madh mbetet kequshqyerja”, theksoi Sumberton, duke shtuar se mungesa e ilaçeve dhe e infrastrukturës mjekësore e përkeqëson situatën. Ai bëri të ditur se 94% e spitaleve janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, ndërsa vetëm 15% e strukturave shëndetësore kanë maternitet që mund të trajtojë raste emergjente.
Mungesa e mjeteve kontraceptive ka çuar shumë gra drejt “abortesh të rrezikshme”, ndërsa rreth 700 mijë gra dhe vajza përballen me vështirësi të mëdha gjatë ciklit menstrual për shkak të mungesës së ujit të pastër, hapësirës private dhe produkteve higjienike. Si pasojë, 170 mijë gra kanë zhvilluar probleme serioze shëndetësore uro-gjinekologjike.
Zyrtari paralajmëroi gjithashtu për rritjen e dhunës me bazë gjinore dhe të martesave të hershme, një fenomen që, sipas tij, “ka shpërthyer në Gaza, ashtu si në çdo konflikt të armatosur”.
Që nga vendosja e armëpushimit më 10 tetor, UNFPA ka mundur të dërgojë disa furnizime mjekësore dhe pajisje në Gaza, ku regjistrohen rreth 130 lindje çdo muaj. Megjithatë, “sasia e ndihmave që lejohet të hyjë në territor mbetet shumë e pamjaftueshme”, theksoi ai.
Sipas Sumberton, aktualisht UNFPA ka siguruar vetëm rreth një të tretën e fondeve të nevojshme për të ofruar ndihmë në Gazë, për shkak të rënies së ndjeshme të mbështetjes financiare ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
/vizionplus.tv