Pas Ukrainë vjen radha e tyre: Këto shtete i tremben pushtimit rus

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pas Ukrainë vjen radha e tyre: Këto shtete i tremben pushtimit rus

Nga Kristaps Andrejsons “Foreign Policy”

Muajt e fundit kanë qenë shumë të trazuar në 3 vendet e vogla të rajonit të Detit Baltik. Në rast se e dini sadopak historinë, nuk është aspak për t’u habitur pse qytetarët e këtij rajoni janë shumë të shqetësuar nga kërcënimi që vjen nga Rusia, si dhe nga trazirat në rajonin post-sovjetik.

Baltiku – Estonia, Letonia dhe Lituania – u pushtuan fillimisht nga Perandoria Ruse. Më tej, pas një periudhe të shkurtër pavarësie midis 2 luftërave botërore, ato u pushtuan nga Bashkimi Sovjetik. Revanshistët në Moskë këmbëngulin se kanë të drejtë të aneksojnë sërish shtetet baltike, edhe pas më shumë se 30 vitesh pavarësi.

Kriza e emigrantëve e nxitura artificialisht nga diktatori i mbështetur nga Rusia Aleksandër Lukashenko në kufijtë e Bjellorusisë (sidomos me Poloninë, por edhe me Lituaninë dhe Letoninë), potenciali i përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë, por edhe kaosi që po përfshin tani Kazakistan, shërbejnë si një kujtesë e zymtë se “biznesi si zakonisht” nuk është një strategji e vlefshme mbijetese për shtetet baltike.

Advertisement

Fokusimi tek siguria kolektive në rajon, marrja seriozisht e kërcënimeve dhe kujdesi për buxhetet ushtarake janë një domosdoshmëri për to. Në nivel shtetëror ky shqetësim vihet re shumë qartë. Në raportin e tij vjetor, Shërbimi i Sigurisë Shtetërore në Letoni arriti në përfundimin se kërcënimi nr.1 i sigurisë për Letoninë në vitin 2021 ishin shërbimet sekrete ruse, teksa agjencitë kineze dhe bjelloruse zinin përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë.

Ndërkohë, më 21 dhjetor 2021, Ministrat e Mbrojtjes të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë – përkatësisht Kalle Laanet, Artis Pabriks dhe Arvydas Anusauskas – lëshuan një deklaratë të përbashkët pas një takimi në Kaunas të Lituanisë. Ata bënë thirrje për një qasje të përbashkët “për t’iu kundërvënë përpjekjeve ruse dhe bjelloruse për të destabilizuar sigurinë e Evropës”.

Ministrat baltikë ishin po ashtu kritikë ndaj përpjekjeve të Rusisë për të “krijuar sfera ndikimi në Evropë, dhe për t’u mohuar vendeve sovrane të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ata e përfunduan deklaratën e tyre duke thënë se vendet baltike qëndrojnë në krah të Ukrainës.

Deklarata të tilla nuk janë asgjë e re. Shtetet baltike kanë qenë gjithnjë të shqetësuara për marrëdhëniet me fqinjin e tyre lindor, dhe njëherazi ish-pushtuesin e tyre. Të vetmet shtete në kufi me Rusinë, me të cilat kjo e fundit ka marrëdhënie të ngrohta, janë ato që kanë vetë probleme të mëdha me korrupsionin dhe demokracinë.

Advertisement

Dhe as kjo nuk është për t’u habitur. Shtypja e Pranverës së Pragës në vitin 1968 dhe e Revolucioni Hungarez të vitit 1956, peshon ende shumë në kujtesën e fqinjëve të Rusisë. Në rajonin e Baltikut, vuajtjet e epokës sovjetike kujtohen ende:dëbimet masive drejt gulagëve, goditjet brutale ndaj lëvizjeve të rezistencës së pasluftës, dhe kërcënimi gjithnjë i pranishëm për t’u rrëmbyer në rrugë nga një furgon i KGB-së.

Janë pikërisht këto kujtime të dhimbshme të së kaluarës, ato që i shqetësojnë qytetarët baltikë, pasi ata e dinë se në politikën ruse nuk kanë ndryshuar shumë gjëra që nga epoka sovjetike. Vladimir Putin ia ka kaluar tashmë Brezhnev-it si udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që nga koha e Stalinit.

Ajo që ndodhi në Gjeorgji në vitin 2008, me të ashtuquajturat konflikte kufitare, kishte shumë ngjashmëri me Luftën e Dimrit, kur sovjetikët pushtuan Finlandën. Edhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014, ndoqi të njëjtin skenar si pushtimi i shteteve baltike nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940.

Edhe trupat ruse që janë dërguar aktualisht në Kazakistan për të shtypur kryengritjen popullore, të kujtojnë shtypjen e revoltës në Hungari dhe Çekosllovaki. Siç e thotë dhe

Advertisement

një batutë e vjetër, ashtu si Traktati i Varshavës, edhe Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive është një aleancë mbrojtëse, pasi pushton vetëm anëtarët e saj. Për shkak të kësaj të kaluare të përbashkët, vendet baltike janë të gatshme të ndihmojnë Ukrainën dhe ta mbështesin atë me aq sa kanë në dorë. Shtetet baltike kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës, dhe e kuptojnë shumë mirë se siguria kolektive është shpresa e vetme e mbijetesës.

Anëtarësimi në NATO merret shumë seriozisht nga këto shtete, dhe ky akt u shoqërua me një psherëtimë të madhe lehtësimi. Në vendet baltike, edhe populistët më euroskeptikë ndaj Brukselit dhe Shteteve të Bashkuara mbi çështje të tjera, nuk thonë kurrë asgjë kritike për aleancën. Dhe për shkak të veprimeve të fundit ruse, mbështetja për anëtarësimin në aleancë është rritur edhe më shumë.

Por ndryshimi i rëndësishëm midis vendeve baltike dhe partnerëve të tyre perëndimorë është qëndrimi. Ka shumë më pak njerëz që besojnë se “Rusia nuk do t’i pushtojë shtetet baltike sepse ne jemi në NATO”. Përkundrazi, ekziston më shumë një bindje se “kur të vijë sërish Rusia, ne mund të mbrohemi, dhe nuk do të ketë një 1940 tjetër”.

Kjo është një ide veçanërisht e përhapur midis të rinjve dhe atyre që militojnë në ushtri. Normat e anëtarësimit në milicitë e organizuara baltike – ekuivalenti i Gardës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara – janë rritur me 11.5 për qind vetëm vitin e kaluar.

Advertisement

Udhëheqja ushtarake ka qenë gjithmonë e kujdesshme ndaj Rusisë. Kur intervistova në vitin 2018, një oficer të Gardës Kombëtare Letoneze, që kishte shërbyer në Afganistan si një ushtar sovjetik, ai më tha troç:“Do të ketë një luftë tjetër. Nuk e di kur dhe si, por ajo po afrohet. Derisa në Rusi të ndodhë diçka vërtet spektakolare, do të ketë gjithmonë luftë”.

Një arsye tjetër e frikës së vendeve baltike, është se shumica e njerëzve në këto shtete flet rusisht. Rusishtja ishte gjuha shtetërore e Bashkimit Sovjetik. Për shembull, në Letoni 37 për qind e njerëzve flasin rusisht dhe ndjekin rregullisht mediat shtetërore ruse.

Dhe ndërsa populistët si Vladimir Zhirinovsky, lideri i Partisë Liberal Demokratike, dhe një figurë e njohur e“opozitës së kontrolluar” të Rusisë, që ka bërë thirrje për bombardimin e menjëhershëm të Kievit, mund të injorohen në mediat perëndimore, në Baltik, deklaratat e tij ndiqen me kujdes.

Siç e pranoi kohët e fundit një nga gazetarët më të shquar rusë, Alexander Nevzorov, prezantues në stacionin radiofonik “Echo of Moscow”:“Mediat ruse janë plot me informacione se si fqinjët tanë duhet të kenë frikë nga ne, se si mund ta kthejmë botën në një varrezë bërthamore, se si mund t’i pushtojë ushtria jonë në më pak se një ditë, si duhet të rivendosim kufijtë, në mos të BRSS, atëherë me patjetër të Perandorisë Ruse, se si gjithçka i përket Nënës Rusi, dhe më pas ne habitemi kur fqinjët tanë na dëgjojnë,na besojnë dhe protestojnë për këtë”.

Advertisement

Herën e fundit, në vitin 1940, ne nuk bëmë asgjë dhe u ulëm në qoshe, me shpresën se gjithçka do të kalonte natyrshëm. Kjo nuk ndodhi, dhe Stalini erdhi plot zhurmë, dhe shkaktoi një tragjedi në vendet tona që nuk do të harrohet kurrë. Prandaj ne e dëgjojmë atë që thotë Rusia dhe e besojmë. Deri më tani, nuk na është dhënë asnjë arsye për të kundërtën.
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy