Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharak?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharak?

Nga Çun Lajçi

S’deshta,
o s’deshta me shkrua,
se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin!
O dashtë e kam ma shum
se ju, betohem, dhe e dini pse?
Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell,
ju e kishit aty, unë veç n’andërra.
S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61” me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi….
Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për deshtoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjët që brenin kostumet!
Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije!
Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashêrit, e sa e sa të tjerëve!
Ju pelqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938 n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!
Kjo asht turp!
Unë shkrova poezi, për kolloset e tij, e mija rrole n’at skenë, jo për te, edhe qava, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa e mjerë ishte, por s’mund t’i dënoj artistet e rinjë me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!
Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo asht histori që nuk rrenohet me nji godinë!
Ju betohem ma shumë se ju dashtë e kam, se dy vite emnin e Kosovë e mbajti, por pse protestoni tani kur s’asht ma?
Pse e politizoni? Për çka?
Për Shqipërinë? Për Kosovën?
Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriot, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiç e Rama banin minishengene!
Teatri na duhet, e teatri do t’bahet, mija herë besoj, ma i mirë se ç’ishte. Edi ndofta asht i çmendun, por çmenduria e tij, mund ta sjell edhe nji teatër si ate të Shkupit! S’i dihet.
Mos bani politikë me nji ngrehinë që kishte mbetë si fantazmë, se po dukeni vërtetë qesharak!

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy