Portugalia merr Presidencën e BE-së

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Portugalia merr Presidencën e BE-së

Portugalia, nga sot, mori presidencën e radhës gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Presidenca e saj do të përballet me koordinimin e paketës së ndihmës në kohë pandemie dhe me sfidat shëndetësore që paraqet sëmundja COVID-19, përfshirë shpërndarjen e vaksinave.

“Në një moment kur pandemia COVID-19 paraqet sfida të vështira dhe të rëndësishme për BE-në, Presidenca e Portugalisë do të bëjë gjithçka për të siguruar që këta gjashtë muaj të shënojnë fillimin e një cikli të ri në Evropë”, tha Portugalia përmes një deklarate.

Portugalia e mori detyrën nga Gjermania, e cila ka kryesuar presidencën e BE-së në gjashtë muajt e kaluar.

Advertisement

Në dorëzimin e presidencës te kryeministri portugez, Antonio Costa, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha në një video-mesazh se gjashtë muajt e Gjermanisë në krye të Këshillit, janë përqendruar në adresimin e pandemisë.

“Jam e bindur se së bashku do të jemi më të fortë se virusi”, tha Merkel.

Portugalia tha se ka në plan të promovojë një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse në Evropë, përmes transformimit klimatik dhe digjital.

Prioritetet e tjera kryesore janë mbështetja e vlerave evropiane dhe e sundimit të ligjit, duke luftuar diskriminimin, duke promovuar pluralizmin në media dhe duke luftuar dezinformimin.

Advertisement

Në politikën e jashtme, Portugalia tha se do t’i forcojë marrëdhëniet me Afrikën dhe Amerikën Latine dhe se do të vendosë një “agjendë të ripërtërirë” me administratën e ardhshme të Joe Bidenit në Shtetet e Bashkuara./ REL

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy