Presidenti i Ukrainës urdhëron hetim të shpejtë mbi shkaqet e rrëzimit të avionit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Presidenti i Ukrainës urdhëron hetim të shpejtë mbi shkaqet e rrëzimit të avionit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të shtunën se shkaqet e rrëzimit të një avioni ushtarak që vrau 26 persona do të hetohen menjëherë dhe në mënyrë të paanshme.

Një avion ushtarak transporti me kadetë të forcave ajrore u rrëzua dhe shpërtheu në flakë pranë një autostrade në Ukrainën verilindore të premten në mbrëmje.

Advertisement

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha se 27 persona kishin qenë në bordin e avionit – shtatë anëtarë të ekuipazhit dhe 20 studentë. Vetëm një kadet arriti të mbijetojë.

“Dje, si rezultat i një tragjedie të tmerrshme … Ukraina humbi 26 nga bijtë e saj të denjë,” tha Zelenskiy në Facebook. “Unë insistoj që shkaqet e këtij aksidenti të sqarohen menjëherë dhe që hetimi të jetë objektiv dhe i paanshëm.”

Advertisement

Ai e shpalli të shtunën ditë zie.

Avioni i tipit Antonov An-26 u rrëzua ndërsa përpiqej të ulej gjatë një manovre stërvitore, tha Gjenerali i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Ruslan Khomchak në një deklaratë, duke shtuar se të paktën dy persona të tjerë u plagosën në mënyrë kritike.

Advertisement

Videoja e postuar nga Zëvendës Ministri i Brendshëm Anton Gerashchenko në Facebook tregon avionin në flakë pranë një rruge dhe shtëllungat e tymit. Pamjet e marra më vonë tregojnë punëtorët e shpëtimit që inspektonin mbetjet e avionit pranë qytetit Chuhuiv. Autoritetet kanë filluar një hetim për shkaqet e rrëzimit.

Një pilot raportoi për mosfunksionimin e motorit të majtë të avionit me dy motorë, tha Oleksiy Kucher, guvernatori i rajonit Kharkiv, duke shtuar se kjo nuk do të kishte qenë një situatë kritike për një pilot me përvojë. Duke cituar informacione paraprake, Kucher tha se disa nga njerëzit në bord arritën të hidheshin nga aeroplani kur ishte në lartësi të ulët.

Advertisement

Një dëshmitar okular i cili po ngiste makinën përgjatë rrugës drejt qytetit Chuhuiv i tha agjencisë Reuters se pa një njeri në flakë duke vrapuar pasi avioni u rrëzua.

Rrëzimi ndodhi rreth 2 kilometra nga një aeroport ushtarak, tha në një deklaratë Shërbimi i Emergjencës Shtetërore të Ukrainës. Thuhet se 27 persona kishin qenë në bordin e avionit. Kadetët ishin nga Universiteti Kharkiv i Forcave Ajrore, i cili drejtohet nga ministria e mbrojtjes./ VOA

Presidenti i Ukrainës urdhëron hetim të shpejtë mbi shkaqet e rrëzimit të avionit shkruan Vizion Plus.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy