Presidenti ukrainas akuzon Rusinë për terror

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Presidenti ukrainas akuzon Rusinë për terror

Autoritetet ukrainase thonë se qendra e Kharkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, është bombarduar nga forcat ruse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i quajti sulmet që shkaktuan vdekjen e disa civilëve si terror i hapur ndaj vendit të tij. Kryeministri britanik Boris Johnson i quajti barbare taktikat e Presidentit rus Vladimir Putin. Nga ana tjetër, Rusia mohon të ketë sulmuar civilët.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy akuzoi Rusinë për bombardimin e sheshit qëndor të Kharkivit, duke e quajtur sulmin “terror të hapur”.

Bombat ruse goditën sërish objektiva të banuara me civilë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, ndërsa një autokolonë e gjatë prej 64 kilometrash me tanke dhe mjete të blinduara po I afrohen kryeqytetit – taktika që sipas presidentit ukrainas kanë për qëllim ta detyrojnë atë të bëj lëshime në luftën më të madhe tokësore në Evropë në gati 80 vitet e fundit.

“Tani gjithçka ka ndryshuar, pasi raketat që u lëshuan nga qyteti rus Belgorod goditën Sheshin e Pavarësisë në Kharkiv, që është simboli i qytetit. Ky është terror kundër Ukrainës. Nuk kishin asnjë objektiv ushtarak në shesh, sikur edhe në pjesët tjera të banimit në Kharkiv që janë goditur me raketa”, tha presidenti ukrainas.

Advertisement

Ndërsa Kremlini vazhdon të izolohet nga sanksione të fuqishme ekonomike që kanë goditur rëndë monedhën e rublës, trupat ruse përparuan në dy qytetet më të mëdha ukrainase.

Kharkivi është një qytet strategjik në lindje të vendit me një popullsi prej rreth 1.5 milion banorë.

“Terrori ka për qëllim në na thyejë neve dhe rezistencën tonë. Ata po vijnë në kryeqytetin tonë sikur edhe në Kharkiv. Prandaj mbrojtja e kryeqytetit është përparësia kryesore e vendit”, tha zoti Zelensky.

Në disa pamje nga vendi i ngjarjes shihet se raketat kanë goditur ndërtesën rajonale të administratës dhe zona tjera banimi, ku viktimat sipas autoriteteve ukrainase janë civilë.

Advertisement

“Njerëzit janë nën rrënoja. Kemi tërhequr trupat e të paktën gjashtë personave dhe rreth 20 të lënduarve”, tha Yevhen Vaslyenko, përfaqësues i Ministrisë së Situatave Urgjente në rajonin e Kharkivit.

Në të gjithë vendin, shumë civilë ukrainas kaluan natën në strehimore, bodrume ose korridore.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe frikësuar. Kemi fëmijë të vegjël dhe të moshuar. Sinqerisht është shumë e frikshme”, thotë Ekaterina Babenko, banore e Kharkivit.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë larguar nga vendi ndërsa zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha të martën se në të gjithë vendin ka regjistruar vdekjen e 136 civilëve, duke përfshirë 13 fëmijë. Numri i vërtetë i viktimave ka të ngjarë të jetë shumë herë më i lartë.

Advertisement

Kryeministri britanik Boris Johnson i dënoi sulmet ruse, të cilat ai i quajti taktika barbare.

“Vladimir Putin është i gatshëm të përdorë taktika barbare dhe pa dallime në civilë të pajafshëm, të bombardojë blloqe banimi, të lëshojë raketa, të vrasë fëmijë, siç po shohim një numër në rritje të këtyre sulmeve”, tha zoti Johnson në një konferencë shtypi në Varshavë.

Ndërsa luftimet u përshkallëzuan duke shkuar përtej objektivave ushtarake në ditën e 6 të sulmit rus që ka tronditur rendin botëror, dolën njoftime se Moska ka përdorur bomba thërrmuese në tri zona banimi.

Nëse këto pretendime konfirmohen, kjo do të nënkuptonte se lufta ka arritur një nivel të ri shqetësues.

Advertisement

Kremlini mohoi të martën përdorimin e municioneve të tilla dhe këmbënguli se forcat ruse kanë goditur vetëm objektiva ushtarake, pavarësisht se në pamjet e siguruara nga gazetarët shihen shtëpi, shkolla e spitale të goditura.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën se do të vazhdojnë ofensivën derisa të arrihet qëllimi, pasi në raundin e parë të bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë nuk u arrit marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve. Të dyja palët u pajtuan për një takim tjetër ditëve në vazhdim./ Voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy