minibus hire UK cloud hosting petrol station near me struga Lajme shqiperia lajm cloud hosting find cheapest fuel minibus hire Leeds
Projektligji për asistencën dhe buxhetin në pritje të firmës së Trump - Struga.info


Projektligji për asistencën dhe buxhetin në pritje të firmës së Trump

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Projektligji për asistencën dhe buxhetin në pritje të firmës së Trump

Presidenti amerikan Donald Trump po e kalon fundjavën e festës në pronën e tij në Florida, ndërsa demokratët dhe republikanët presin të shikojnë nëse ai do të nënshkruajë një paketë ligjore që përmban asistencën për pandeminë dhe financimin e buxhetit të qeverisë, projektligje të cilat ai i pati kritikuar ashpër këtë javë.

 

Legjislacioni, i cili miraton shpenzime prej 2.3 trilionë dollarësh ku përfshihen 892 milionë dollarë asistencë për koronavirusin, është dërguar nga Uashingtoni në klubin e tij në Mar-a-Lago ku pret firmën e tij. Presidenti Trump nuk ka kërcënuar konkretisht me vendosjen e vetos ndaj projektligjit, por ai i befasoi ligjvënësit e të dyja partive, duke e quajtur një “turp” ligjin që ishte miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, pas muajsh të tëra negociatash.

Presidenti tha se projektligji u jep shumë para interesave të veçanta dhe ndihmës për jashtë. Ai tha se pagesat e drejtpërdrejta prej 600 dollarësh për shumicën e amerikanëve, duhet të rriten në 2 mijë dollarë. Kjo u pa si një kritikë ndaj vetë anëtarëve të Partisë së tij Republikane, të cilët u kishin rezistuar përpjekjeve të demokratëve për të negociuar pagesa më të mëdha.

Advertisement

 

Një mbyllje e pjesshme e qeverisë do të fillojë në orët e para të së martës, nëse Presidenti Trump nuk e nënshkruan projektligjin. Kongresi planifikon të rikthehet në punë të hënën, duke ndërprerë kështu pauzën e zakonshme për Krishtlindjen, dhe mund të miratojë një masë të përkohshme që do të financonte qeverinë për disa ditë ose javë të tjera, deri në zgjidhjen e ngërçit.

 

Ligjvënësit pritet të votojnë të hënën për të rrëzuar veton e Presidentit Trump ndaj një ligji që autorizon programe në fushën e mbrojtjes me vlerë prej 740 miliardë dollarësh. Nëse votohet në Dhomën e Përfaqësuesve, Senati mund të votojë që të martën. Për t’u rrëzuar vetoja e presidentit, nevojiten dy të tretat e votave në të dyja dhomat e legjislativit.

Advertisement

 

Presidenti Trump e ka kritikuar ligjin për mbrojtjen në disa aspekte, duke pretenduar pa dhënë shpjegime se ligji ndihmon Kinën, si dhe ka kërkuar heqjen e frazave që lejojnë ndryshimin e emrave të bazave ushtarake që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës. Ai gjithashtu ka kërkuar shtimin e një klauzole që e bën më të lehtë paditjen e kompanive të mediave sociale për materiale të publikuara nga përdoruesit e tyre.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti veton e Presidentit Trump “një gjest tronditës shpërfilljeje që dëmton trupat ushtarake të vendit”.

 

Advertisement

Megjithatë, zonja Pelosi e ka mirëpritur thirrjen e Presidentit Trump për pagesa të drejtpërdrejta prej 2 mijë dollarësh për të gjithë amerikanët që gjenden nën një nivel të caktuar të ardhurash dhe të enjten i nxiti republikanët ta sfidojnë Presidentin Trump, duke mos lejuar rritjen e pagesave.

 

Zonja Pelosi ka njoftuar se synon të organizojë një tjetër votim të hënën.

 

Advertisement

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të japë hollësi mbi planet e presidentit gjatë Krishtlindjeve. Ajo tha se “gjatë stinës së festave, Presidenti Trump do të vazhdojë të punojë pa pushim për popullin amerikan. Axhenda e tij përfshin shumë takime dhe telefonata”.

 

Megjithatë, Presidenti Trump u fotografua të enjten dhe të premten duke luajtur në fushat e tij të golfit pranë Mar-a-Lagos në Florida. Mediat njoftuan se atij iu bashkua në Ditën e Krishtlindjes edhe aleati i tij i afërt, Senatori republikan Lindsey Graham./ VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy