Prokuroria e Tiranës nuk ka hetim për shembjen e Teatrit Kombëtar

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Prokuroria e Tiranës nuk ka hetim për shembjen e Teatrit Kombëtar

Pyetur nga BIRN, materjalet për personat e arrestuar nga policia mes protestuesve nuk kanë mbërritur ende ndërsa zyrtarët e saj heshtin kur pyeten nëse kanë nisur apo jo hetim për procedurën e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Nga Edmond Hoxhaj

Prokuroria e Tiranës nuk ka ende një procedim penal lidhur me situatat e dhunës të krijuara gjatë protestës të së dielës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, ndërkohë që nuk jep informacion nëse ka filluar ose jo hetim lidhur me kallëzimin e kryer nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, AMT ndaj inxhinierëve të cilët kanë firmosur aktin ku është bazuar Këshilli i Bashkisë Tiranë për t’i dhënë fund ndërtesës së teatrit.

“Nuk ka mbërritur akoma referimi nga policia deri në këto momente. Sapo të vijë dhe të regjistrohet do t’ju vëmë në dijeni”, i tha BIRN koordinatorja për të drejtën e informimit në Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Lorena Salillari.

Advertisement

Gjithashtu, prokuroria refuzoi t’i përgjigjet pyetjes nëse është regjistruar ose jo një procedim penal për “shpërdorim detyre” të urdhëruesve dhe ekzekutuesve të shembjes së Teatrit, i cili, supozohet se u bë në bazë të një vendimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës të datës 14 Maj, por shembja e kryer tre ditë më vonë ndodhi në një kohë kur vendimi i këshillit nuk kishte fuqi ligjore. Sipas ligjit për Pushtetin Vendor, vendimet e këshillit hyjnë në fuqi vetëm 10 ditë pas publikimit.

Aktivistët kanë denoncuar tre inxhinierë, Artur Hasantare, Olsi Nunaj dhe Elbarina Kola. Sipas aktivistëve, këta persona kanë kryer shembjen e teatrit pa një akt ekspertim fizik të godinës, por janë bazuar në akte ekspertimi të kryera nga kolegët e tyre dy vite më parë, të cilët nuk kishin dhënë atëherë një qëndrim përfundimtar.

Policia e Shtetit njoftoi të dielën se gjatë aksionit në terren për shembjen e Teatrit Kombëtar u shoqëruan 37 persona të cilët kundërshtuan me forcë apo penguan zbatimin e vendimit dhe se po vijoheshin veprimet proceduriale në bashkëpunim me prokurorinë.

Nga ana tjetër SPAK njoftoi të premten se ka nisur hetimi për kallëzimin e kryer nga AMT ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku, por se nuk ka emër të regjistruar. Aktivistët akuzojnë Veliajn dhe Maznikun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarëve që kryejnë funksione publike”, duke pretenduar se, bazuar në ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri me partneritet publik-privat, nuk ka më mundësi që ky ndërtim të bëhet vetëm nga pala e shtetit.

Advertisement

Policia e Tiranës njoftoi të hënën se të dielën u shoqëruan gjithsej 64 persona, për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë. Sipas policisë, janë arrestuar 7 protestues për veprat penale “kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”; janë proceduar në gjendje të lirë 21 persona për veprën penale “pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe 36 të tjerë janë penalizuar me masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy