Protesta kundër dhunës ndaj grave në Francë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Protesta kundër dhunës ndaj grave në Francë

Dhjetëra mijëra protestues marshuan të shtunën në Paris dhe qytete të tjera franceze për të kërkuar më shumë masa nga qeveria për të parandaluar dhunën ndaj grave. Protestat vijnë në mes të zemërimit në rritje në Francë për gratë e vrara nga partnerët e tyre dhe ndërsa gratë franceze po ngrenë gjithnjë e më shumë zërin për ngacmimet dhe abuzimet seksuale.

Protestuesit marshuan në Paris duke mbajtur një pankartë të madhe ku thuhej “Stop seksizmit dhe dhunës seksuale”.

Advertisement

“Ne gjithmonë ua vëmë fajin grave,” tha protestuesja pariziene Ghislaine Gireire-Revalier. “Ajo që harrojmë është realiteti i të qenit nën kontrollin e dikujt. Pak nga pak është si një merimangë që të mbërthen në rrjetën e saj.”

Grupet kundër dhunës ndaj grave thanë se të paktën 101 gra janë vrarë nga partneri ose ish-partneri i tyre në Francë këtë vit – rreth një grua çdo tre ditë. Sipas një studimi mbarëkombëtar të vitit 2017, më shumë se 220,000 gra vuajnë nga abuzimi fizik ose seksual nga partneri i tyre çdo vit. Aktivistët po i kërkojnë qeverisë së Presidentit Emmanuel Macron që të caktojë 1 miliardë euro çdo vit për të luftuar dhunën ndaj grave, në vend të 360 milionëve që jepen aktualisht, pjesërisht për të krijuar më shumë qendra strehimi.

Advertisement

Protestuesja Meryll Le Goff tha se “ka masa që janë vënë në fuqi si një telefon i veçantë për ato që janë në rrezik serioz”. Bëhet fjalë për një telefon me një buton që shtypet për të njoftuar policinë. Mbi 2,500 telefona të tillë u shpërndanë në shtator, tha Ministria e Drejtësisë.

“Por nuk janë të mjaftueshëm për të gjithë,” tha zonja Le Goff. “Masa të pamjaftueshme, burra që ndalohen përkohësisht apo edhe që burgosen por përfundimisht lirohen pa asnjë masë pasuese. Ky është problemi.”

Advertisement

Protestat janë pjesë e një jave manifestimesh globale që shënojnë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave./ Voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy