Pse nuk funksionojnë saksionet kundër Putinit dhe aleatëve të tij, dhe çfarë duhet bërë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse nuk funksionojnë saksionet kundër Putinit dhe aleatëve të tij, dhe çfarë duhet bërë

Nga Owen Matthews, The Spectator

Një “akt të piraterisë së aviacionit” e cilësoi presidenti i “Ryanair”, Michael O’Leary, aktin e uljes me forcë në Minsk të njërit prej avionëve të tij nga autoritetet bjelloruse, për të arrestuar një disident që ndodhet në bord.

“Një sulm tronditës ndaj aviacionit civil, dhe një sulm ndaj ligjit ndërkombëtar” e etiketoi Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab. Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, bëri thirrje për një takim urgjent të krerëve të shteteve të BE-së, për t’i dhënë një “përgjigje shumë të fortë dhe të prerë”presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Por çfarë reagimi mund të ndërmarrë Perëndimi, që mund t’i japë fund sjelljes së paligjshme të Lukashenkos, dhe më e rëndësishmja, të aleatit të tij Vladimir Putin? Ku mund të goditet aty ku u dhemb vërtetë këtyre 2 autokratëve?

Advertisement

Reagimi fillestar i Bashkimit Evropian, ishte të pezullonte licencën e linjës ajrore shtetërore bjelloruse ”Belavia”, dhe të kërkonte ndalimin e të gjitha fluturimeve nga Evropa drejt Minskut. Si një hap i parë, kjo masë duket në pamje të parë si proporcionale.

Veçse nga ai nuk do të vuajë Lukashenko apo shefat e tij të sigurisë. Gati 60 zyrtarë të lartë bjellorusë – përfshirë vetë Lukashenkon – janë vendosur personalisht nën sanksionet e Perëndimit pas shtypjes brutale të protestave të opozitës verën e vitit të shkuar, dhe tashmë e kanë të ndaluar të udhëtojnë apo të kenë depozita bankare në Evropë.

Qytetarët bjellorusë që do të dëmtohen më shumë nga ndalimi i fluturimeve, ka të ngjarë të jenë më pro-perëndimorët dhe më të arsimuarit. Si Lukashenko ashtu edhe Putin, ndalojnë aktualisht qindra mijëra qytetarë të tyre (kryesisht personel i shërbimit të sigurisë) të udhëtojnë në Perëndim,

“Nëse doni vërtet të ndëshkoni Lukashenkon, jepini çdo të riu bjellorus një biletë avioni dhe një vizë Shengen. Mos na mbyllni në këtë çmendinë!” -shkroi një përdorues anonim në platformën Telegram, ku aktivisti i arrestuar Roman Protasevich punonte në dy kanale informative me frymë opozitare.

Advertisement

Perëndimi ka ndjekur metodën e sanksioneve që nga viti 2012, duke filluar me ngrirjen e pasurive individuale dhe ndalimet e udhëtimit për zyrtarët e përfshirë në vrasjen e vitit 2007 të avokatit nga Moska, Sergei Magnitsky, që zbuloi disa skandale korruptive të regjimit. Që atëherë, forcat e Putinit kanë pushtuar Krimenë; rrëzuar një avion pasagjerësh; sulmuar me hakera serverin e Komitetin Kombëtar të Partisë Demokratike në SHBA, dhe makineritë  e votimit elektronik po në SHBA.

Gjithashtu rusët kanë përdori armë kimike në atentatin ndaj ish-agjentit të tyre Sergei Skripal në Salisbury. Për të mos përmendur sulmet kibernetike mbi sistemet kryesore të rrjetit elektrik perëndimor dhe infrastrukturës së gazsjellësave. Për çdo akt të ri, ka pasur një raund përgjigje me vendosjen e sanksioneve të reja.

Janë ngrirë asetet e qindra zyrtarëve rusë, kompanitë shtetërore ruse e kanë të ndaluar të marrin hua nga bankat perëndimore, ndërsa kompanitë perëndimore janë kërcënuar me sanksione nëse marrin pjesë në projekte të mëdha të mbështetura nga Kremlini, siç është ai i gazsjellësit “Nord Stream 2”.

Por asnjëra prej tyre nuk e ka ndryshuar aspak sjelljen e Putinit. Prandaj masa të tilla nuk kanë të ngjarë që të funksionojnë as me Lukashenkon. Përkundrazi, sanksionet i kanë dhënë mundësi Putinit të fajësojë për problemet e Rusisë të “huajt armiqësorë”, dhe të paraqitet si mbrojtësi i atdheut kundër agresionit të huaj.

Advertisement

Kur rubla ruse zhvlerësua me më shumë se 50 për qind, në prag të pushtimit të Krimesë në vitin 2014 (e diktuar kjo kryesisht nga rënia e çmimeve të naftës sesa nga sanksionet), Putini u kundërpërgjigj duke ndaluar importin e të gjitha produkteve ushqimore të BE-së, dhe duke filluar prodhimin vendas të atyre produkteve.

Kur BE dhe Britania e Madhe vështirësuan procedurat e mbajtjes së parave në bankat perëndimore për zyrtarët e lartë të Kremlinit, Putin njoftoi një amnisti për të gjitha paratë që kishte elita ruse jashtë vendit. Për më tepër, të qenit në shënjestër të sanksioneve të SHBA-së, është shndërruar në një lloj “medalje nderi” për elitën ruse.

“Çfarë, ti je ende në gjendje të udhëtosh në Perëndim?”- i tha një parlamentar rus kolegut të tij në një festë në një vilë jashtë Moskës ku mora pjesë edhe unë nëntorin e vitit të kaluar. “Ç’lloj patrioti je ti mor burrë?”. Për më tepër  Perëndimi ka lejuar ekzistencën e një konfuzioni fatal në mesazhin e tyre të sanksioneve.

Disa sanksione janë vendosur për sjellje që janë thjesht kriminale – të tilla si rrëzimi i avionit të linjës “Malaysian Airlines MH17” nga një raketë ruse në vitin 2014, ose helmimi i Skripal.

Advertisement

Të tjerat janë vendosur për incidente, që nuk janë provuar ende se janë një vepër e drejtpërdrejtë e Kremlinit, si ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020, dhe sulmi i fundit kibernetik nga një grup misterioz hakerash i quajtur “DarkSide”, që mbylli përkohësisht gazsjellësin amerikan “Colonial Pipeline”.

Dhe disa raunde sanksionesh, kanë qenë për veprime që në mënyrë të arsyeshme mund të konsiderohen si çështje të brendshme, si shtypja brutale e Lukashenkos ndaj protestave pro-demokracisë. Kjo qasje u ka dhënë mundësinë propagandistëve rusë dhe bjellorusë t’i cilësojnë të gjitha sanksionet, si ndërhyrje të pajustifikueshme në politikën e vendeve të tyre.

Atëherë, çfarë mund të funksionojë kundër Rusisë? Megjithëse ekonomikisht më e vogël se Koreja e Jugut, Rusia është ende e lidhur me sistemin ndërkombëtar të financave dhe bankave. Nëse do të donte, presidenti amerikan Joe Biden mund të ndërpresë tregtinë e bonove ruse dhe aseteve të tregtuara publikisht të kompanive shtetërore ruse, si kompania shtetërore “Rosneft”.

Këto veprime do t’i shkaktonin dhimbje të menjëhershme dhe katastrofike ekonomike, duke e detyruar Putinin të kërkojë financimin e borxhit nga Kina, me të gjithë vartësinë strategjike që do të sillte kjo lëvizje. Por a do ta ndëshkonte Putinin shkatërrimi i sistemit bankar të Rusisë, ndërprerja e të gjitha lidhjeve të saj me financat ndërkombëtare dhe burimet e të ardhurave?

Advertisement

Apo do të bashkonte rusët e zakonshëm pas udhëheqësit të tyre? Si Biden, ashtu edhe Evropa kanë zgjedhur të përdorin edhe karotën, edhe shkopin. Angela Merkel ka refuzuar vazhdimisht të pranojë kërkesat e SHBA-së për t’u tërhequr nga projekti “Nord Stream 2” të financuar nga Rusia nën Detin Baltik, i planifikuar të fillojë nga puna brenda këtij viti.

Por qëndrimet po ndryshojnë edhe në mesin e elitës tradicionale gjermane. Ndërkohë Putin dhe Lukashenko, kanë arritur ta shkelin një vijë të kuqe. Të dy janë të sigurt se Perëndimi ka shumë për të humbur nga një konfrontim i hapur me ta.

Nga ana e tij, Perëndimi vazhdon të shpresojë se rritja ekonomike, do të ushqejnë presionin për liri dhe ndryshim midis të rinjve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Është një ekuilibër shumë delikat, dhe çdo akt helmimi dhe piraterie, rrezikon që ta shndërrojë detantën aktuale në një Luftë të Re të Ftohtë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy