Reagimi i një veterani amerikan për Afganistanin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Reagimi i një veterani amerikan për Afganistanin

Një veteran amerikan, i dislokuar katër herë në Afganistan, tha se ishte befasuar nga marrja e shpejtë e kontrollit të vendit nga forcat talebane, vetëm dy javë para përfundimit të plotë të tërheqjes së trupave amerikane nga lufta tejet e kushtueshme 20 vjeçare në Afganistan.

Veterani David Smyth ka shërbyer në Afganistan në vitin 2007, 2008, 2009 dhe 2012. Ai ka qënë pjestar i forcave speciale të ushtrisë amerikane të njohura si Beretat e Gjelbërta (Green Beret).

Ish oficeri Smyth e pranon se lufta në Afganistan ishte një investim i gjatë dhe i kushtueshëm për Amerikën, si në humbjen e jetëve ashtu edhe financiarisht. Nëse talebanët mbeten në pushtet, thotë ai, Afganistani mund të bëhet përsëri strehë për organizatat terroriste.

“Talebanët kanë marrë kontrollin e vendit dhe do të krijojnë qeverinë e tyre. Sigurisht që ata do të ftojnë bashkëpunëtorët e al-Kaidës përsëri në Afganistan për t’u trajnuar. Kjo do të çojë në sulme ndaj vendeve të tjera si Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Ndaj shtrohet pyetja, çfarë ndodh më pas? Sepse nëse ata e bëjnë këtë, mendoj se është vetëm çështje kohe që të rikthehemi atje dhe të bëjmë të njëjtën gjë, edhe pse me shpresën për synime më të kufizuara”.

Advertisement

Me një kosto prej 83 miliadë dollarësh dhe të trajnuara gjatë periudhës 20 vjeçare, forcat afgane të sigurisë u shkërmoqën aq shpejt dhe në tërësi, sa në disa raste nuk shkrehën asnjë të shtënë.

Talebanët jo vetëm që morën pushtetin politik, por edhe fuqinë luftarake. Bëhet fjalë për burimet ushtarake të Afganistanit të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara me armë, municione, helikopterë dhe pajisje të tjera.

Gjatë shërbimit të tij në Afganistan, zoti Smyth ishte ngarkuar të ndihmone në krijimin dhe trajnimin e ushtrisë afgane. Ai thotë se shumë ushtarëve afganë u mungonte motivimi për të luftuar.

“Ka disa njësi të ushtrisë që janë shumë kompetente, por pa mbështetjen e qeverisë, pa paga, aftësi zbulimi dhe mbështetje nga ajri, që ofronin Shtetet e Bashkuara, është e vështirë që afganët të ndërmarrin misione pa këtë lloj mbështetje”, thotë veterani Smyth.

Advertisement

Ambasada amerikane është evakuuar dhe flamuri amerikan është ulur, ndërsa diplomatët janë zhvendosur në aeroport për të ndihmuar me evakuimin. Vendet e tjera perëndimore gjithashtu kanë mbyllur misionet e tyre dhe po largojnë personelin dhe shtetasit.

Mijëra afganë vërshuan të hënën në pistën e aeroportit të Kabulit, disa aq të dëshpëruar nga ardhja e talebanëve në pushtet, saqë u kapën pas anës së jashtëme të një avioni ushtarak amerikan teksa po ngrihej. Raportimet e medias flasin për të paktën shtatë persona që humbën jetën mes kaosit për t’u larguar.

“Do të doja të shikoja një përpjekje më të bashkërenduar nga qeveria amerikane për të evakuuar afganët që punuan me ushtrinë amerikane dhe familjet e tyre.”

Zoti Smyth thotë se ai luftoi krah për krah me përkthyesit afganë dhe beson se duhet bërë më shumë për të siguruar evakuimin e familjeve të atyre që kanë pëfituar vizën speciale të emigrimit, pasi rrezikohen nga hakmarrja e talebanëve.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy