Rezoluta e Srebrenicës: Një akt i rëndësishëm simbolik

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rezoluta e Srebrenicës: Një akt i rëndësishëm simbolik

“Ti dhe foshnja kaloni, dhe i vogli të dalë këndej”, i tha një ushtar mamasë sime. Mami ngriu e shokuar. Por një ushtar tjetër tha atëherë: ‘Lëre fëmijën të shkojë, ka mjaft.’ Ai më shtyu drejt nënës sime, ajo më futi në autobus, që do të thoshte shpëtimi”, kujton Adem Mehmedoviq, i cili i mbijetoi gjenocidit në korrik 1995, kur ishte tetë vjeç.

Dhjetë vjet më parë ai u kthye në Srebrenicë, ku tani jeton dhe punon në administratën e qytetit. Për atë që u vendos në Kombet e Bashkuara, ai thotë: “Është vetëm një gjest simbolik dhe satisfaksion për viktimat. Dhe Kombet e Bashkuara, sigurisht që mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për gjenocidin në Srebrenicë.”

Mehmedoviq është i bindur se rezoluta nuk do të ndryshojë shumë gjë në qytet. “Është mirë që pranohet, por nuk duhet të kesh pritshmëri shumë të mëdha”, thotë ai për DW. Prandaj, mendon ai, nuk ka as arsye për reagimet e ashpra të politikanëve nga Republika Srpska dhe Serbia.

Sulmi në zonën e mbrojtur nga OKB

Advertisement

Në prill 1992, kur filloi lufta në ish-republikën jugosllave të Bosnjë-Hercegovinës, në qytetin e Srebrenicës në lindje të vendit, jo shumë larg kufirit me Serbinë, jetonin kryesisht myslimanë nga  Bosnja – boshnjakë. Në këtë zonë kishte edhe fshatra të banuara kryesisht me serbë.

Në vitin 1993 Këshilli i Sigurimit i OKB-së e shpalli enklavën e Srebrenicës zonë të mbrojtur. Si forcë mbrojtëse atje u vendosën rreth 170 ushtarë të armatosur lehtë, fillimisht kanadezë dhe më vonë holandezë. Kur më 11 korrik 1995 njësitë ushtarake të serbëve të Bosnjës nën udhëheqjen e komandantit të tyre të përgjithshëm, Ratko Mlladiç përparuan në zonën e mbrojtjes, ushtarët holandezë të OKB-së u dorëzuan pa luftë. Pas pushtimit të enklavës ushtria dhe policia e Republika Srpska e pjesës serbe të Bosnjë-Hercegovinës dhe njësia ushtarake speciale serbe Skorpioni vranë më shumë se 8.300 burra dhe djem boshnjakë. Më vonë Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) e përcaktoi krimin si gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e konfirmoi këtë në vitin 2007. Por ajo konstatoi gjithashtu se Serbia nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në gjenocid. Megjithatë sipas GJND autoritetet e Beogradit në atë kohë nuk bënë asgjë për të parandaluar gjenocidin.

Deri tani 6.751 viktima janë varrosur në Memorialin e Srebrenicës në qytetin e Potoçarit, në jug të Srebrenicës. Eshtrat e shumë të tjerëve kërkohen ende. Në gjyqe të ndryshme përpara Gjykatës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) rreth 50 njerëz u dënuan me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime në Srebrenicë, duke përfshirë Mlladiqin dhe Radovan Karaxhiqin, liderin e atëhershëm politik të serbëve.

Interpretimi serb: Masaker, jo gjenocid

Advertisement

Në Republikën Srpska dhe Serbi mohohet se krimet në Srebrenicë përbënin gjenocid. Parlamenti i Serbisë e dënoi masakrën e Srebrenicës në vitin 2010 pa përdorur termin gjenocid. Rezoluta aktuale e OKB-së interpretohet si sulm ndaj Serbisë dhe serbëve si komb, edhe pse ata nuk përmenden fare në tekstin e rezolutës.

Edhe para votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Aleksandar Vulin, ish-shefi i inteligjencës dhe tani zëvendëskryeministër i Serbisë, tha në një intervistë për mediat serbe: “Ajo që do të ndodhë është përfundimi i komplotit kundër Republika Srpska dhe Republikës të Serbisë”. Gjermania dhe Ruanda, të cilët iniciuan rezolutën, donin t`i “shpallnin serbët një komb gjenocidal”.

Është e vështirë që të gjesh mes serbëve në Srebrenicë bashkëbisedues për temën e rezolutës. Shumica e njerëzve tundin dorën dhe thonë: “Mos më pyet”. Por njëri prej tyre është dakord të flasë, vetëm me kusht që të mos i përmendet emri. Ai thotë se ka qenë ushtar serb. Për DW ai thekson, se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, sepse “nëse gjenocidi nënkupton synimin për të shfarosur dhe shkatërruar një popull të tërë, atëherë këtu kjo nuk ka ndodhur”.

Në fillim të luftës, thotë ai, boshnjakët bënë kërdinë nëpër fshatrat serbe, duke vrarë të gjithë, fëmijët në djep, gratë, pleqtë e pazotë. “Unë kam qenë dëshmitar. Ne duhet të merremi me të gjitha këto me ndershmëri. Nuk mund të fajësohet gjithmonë vetëm njëra palë. Ata që vranë kanë emra, nga të dyja palët. Dhe të gjithë duhet të thonë se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe kush ka qenë përgjegjës për çfarë, që të kërkohet individualisht përgjegjësi”, thotë ai për DW.

Advertisement

Srebrenica – një qytet fantazmë

Pas luftës Srebrenica ra nën juridiksionin e Republika Srpska, më e vogla nga dy entitetet në Bosnje-Hercegovinë. Megjithatë popullsia është ulur me dy të tretat në krahasim me periudhën e paraluftës. Gjithsej rreth 13,000 njerëz jetojnë në qytet dhe fshatrat përreth, dhe një shumicë e vogël deklarohen si boshnjakë. Sot Srebrenica i ngjan një qyteti fantazmë. Nuk ka pothuajse asnjë dyqan dhe as një stacion autobusi. Në Srebrenicë nuk mund të blesh as një gazetë ditore. Të rinjtë largohen, sepse nuk shohin perspektivë për veten.

“Shenjë e humanitetit të vërtetë”

Rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës, që u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të enjten më 23 maj, u propozua nga Gjermania dhe Ruanda. Ajo shpall 11 korrikun ditën ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës dhe bën thirrje për përfshirjen në programet mësimore të fakteve rreth gjenocidit të pranuara nga gjykata.

Advertisement

Në versionin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën është përfshirë amendamenti i Malit të Zi, i cili thotë se përgjegjësia penale për gjenocidin sipas ligjit ndërkombëtar është individuale dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi etnik, fetar apo një komuniteti si të tërë. /DW

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy