Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përshëndeti njoftimin e Izraelit për pauza të përditshme humanitare katër-orëshe të luftimeve në zona të caktuara në Gazë si dhe dy korridore humanitare për të lejuar largimin e njerëzve nga rreziku.
Njoftimi vjen krahas shtimit të zemërimit për numrin në rritje të viktimave palestineze. Reagime vijnë edhe nga disa anëtarë demokratë të Kongresit.
Sekretari amerikan i Shtetit e përshëndeti vendimin e Izraelit për pauza humanitare, por tha se duhet bërë më shumë për të mbrojtur civilët në Gazë dhe për t’u siguruar se ndihmat arrijnë tek ata që kanë nevojë.
Ai i bëri këto komente në Nju Delhi, ku së bashku me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, po zhvillon takime me diplomatë të lartë dhe udhëheqësit e mbrojtjes në Indi.
“Shumë palestinezë janë vrarë. Shumë kanë vuajtur gjatë javëve të fundit dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar humbjet tek ta dhe për të maksimalizuar ndihmën që u vjen” – tha zoti Blinken, ndërsa shtoi se bisedimet me Izraelin për këto çështje, të ardhmen e Izraelit dhe të territorive palestineze po vazhdojnë.
“Ne do të vazhdojmë të përqëndrohemi në hapat që mund të ndërmerren tani për të nisur vendosjen e themeleve për paqe të qëndrueshme, e cila, siç kemi thënë vazhdimisht, besojmë se duhet të përfshijë zgjidhjen me dy shtete për dy popujt” – theksoi zoti Blinken.
Sekretari Blinken ndodhet në Azi në kuadër të angazhimeve intensive diplomatike me partnerë rajonalë për të parandaluar thellimin e dallimeve ekzistuese mbi luftën në Gazë dhe për të shfaqur unitet mbi luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 10 mijë persona janë vrarë që nga sulmi i Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, që shkaktoi fillimin e konfliktit. Militantët e Hamasit, që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, shkaktuan vdekjen e 1 mijë e 400 njerëzve.
Në konferencën e përditshme të Departamentit të Shtetit të enjten, zëvendës-zëdhënësi Vedant Patel dha disa hollësi mbi njoftimin e Izraelit për pauzat e përditshme humanitare në Gazën veriore.
“Do të ketë dy korridore humanitare që do të lejojnë largimin e njerëzve nga zonat e luftës në pjesën veriore të Gazës. Korridori i parë i tillë, i hapur nga katër deri në pesë orë çdo ditë së fundmi, u ka mundësuar mijëra njerëzve të largohen drejt zonave më të sigurta. Korridori i dytë përgjatë vijës bregdetare do t’u mundësojë mijëra të tjerëve të arrijnë në zona më të sigurta në jug”, tha zoti Patel.
Në Kapitol, të mërkurën protestuesit kundër qeverisë izraelite u shfaqën gjatë një senace ku shumica e ligjvënësve demokratë dhe republikanë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për Izraelin.
Por, disa demokratë u shprehën të shqetësuar me numrin e madh të civilëve të vrarë në Gazë. Ligjvënësi demokrat Joaquin Castro tha se Izraeli ka goditur Gazën me më shumë se 20 mijë raketa dhe se vetëm rreth pesë pengje janë liruar.
“Më duket se kryeministri izraelit Netanyahu po i jep më shumë përparësi ndëshkimit kolektiv sesa lirimit të pengjeve dhe unë jam i shqetësuar për këtë” – tha ai.
Një tjetër demokrat u shpreh i shqetësuar se kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson do të politizojë fondet ushtarake amerikane për Izraelin.
“Kryetari Johnson solli në Kongres një paketë ndihme vetëm për Izraelin. Kjo shtesë është e paprecedentë. Ai kushtëzon ndihmën për Izraelin me objektivat politikës së brendshme dhe nuk ka asnjë shans të miratohet, tha ligjvënësi demokrat Gregory Meeks.
Kryetari republikan i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul tha se është dakord.
“Duhet të lëvizim më me shpejtësi drejt një pakete ndihme për sigurinë kombëtare që trajton kërcënimin rus ndaj Ukrainës dhe Evropës, kërcënimin e Kinës komuniste ndaj Tajvanit dhe Paqësorit, kërcënimin e Iranit dhe organziatave që ajo mbështet ndaj Izraelit në kufirin jugperëndimor” – tha ai.
Senati me shumicë demokrate nuk do ta mbështesë projektligjin prej 14.3 miliardë dollarësh për financimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore të Izraelit të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane javën e kaluar.
Demokratët kundërshtuan propozimin e republikanëve që të ndihmohet Izraeli, duke bërë shkurtime në buxhetin e agjencisë amerikane për taksat./voa