SHBA dënon dhunën ndaj demonstruesve në Myanmar

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha të martën se Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën kundër demonstruesve që kundërshtojnë grushtin ushtarak në Mianmar, duke thënë se çdokush ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin e tij e të marrë pjesë në tubime paqësore.

“Ne përsërisim thirrjet tona drejtuar ushtrisë që të heqë dorë nga pushteti, të rikthejë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të lirojë të arrestuarit dhe të heqë të gjitha kufizimet mbi telekomunikacionin e të përmbahet nga aktet e dhunës”, tha zoti Price në një konferencë për shtyp.

Të martën policia dhe protestuesit u përplasën mes tyre, në ditën më të dhunshme të demonstratave kundër grushtit të shtetit të 1 shkurtit, ditë kur ushtria e udhëhequr nga shefi i saj Gjenerali i Lartë Min Aung Hlaing përmbysi udhëheqësen e zgjedhur, Aung San Suu Kyi.

Sipas zyrtarëve të shëndetësisë ka gjasa që një grua e cila u plagos me armë në kokë gjatë protestës të mos mbijetojë.

Advertisement

Përplasjet çuan në gjakderdhjen e parë që kur ushtria mori pushtetin dhe arrestoi Suu Kyi-n e politikanë të tjerë të partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci, forcë e cila fitoi zgjedhjet e nëntorit me një rezultat të thellë.

Ushtria thotë se Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi falë manipulimit, një akuzë që është hedhur poshtë nga komisioni zgjedhor dhe qeveritë perëndimore.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit përsëriti atë çka është thënë prej javës së kaluar se Mianmari është përparësi për Uashingtonin dhe se SHBA po rishikon ndihmën që i jep këtij vendi “nën optikën e garantimit që ata që janë përgjegjës për grushtin e shteti të përballen me pasoja të forta”.

Administrata e Presidentit Joe Biden po punon për të kufizuar disa pjesë të ndihmës për Mianmarin dhe ka kërcënuar se do të vendosë sanksione./VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy