Tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi, Moska zgjat afatin e stërvitjeve ushtarake

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi, Moska zgjat afatin e stërvitjeve ushtarake

Rusia zgjati të dielën afatin e stërvitjeve të saj ushtarake në Bjellorusi, përgjatë kufirit verior të Ukrainës, pas dy ditë luftimesh në Ukrainën lindore midis separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase. Kjo pason paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara për një sulm rus ndaj Ukrainës, pas grumbullimit të më shumë se 100,000 trupave ruse në kufirin Rusi-Ukrainë.

 

Videoja e fundit nga Ministria Ruse e Mbrojtjes tregon lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale “Yars” nga Rusia. Kremlini pohon se stërvitjet e tij të gatishmërisë ushtarake dhe më shumë se 100 mijë ushtarët e grumbulluar përgjatë kufirit të Ukrainës nuk përbëjnë asnjë kërcënim për fqinjin e tij, të cilin Rusia thotë se nuk ka ndërmend ta sulmojë.

 

Advertisement

Në Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës mes thirrjeve në rritje nga Kongresi për vendosjen e sanksione të forta ndaj Rusisë.

 

“Derisa të fillojnë lëvizjet me tanke dhe aeroplanë në Ukrainë, ne do të bëjmë gjithçka që do të mundemi për ta nxitur presidentin Putin të ndryshojë vendimin për të sulmuar që ne besojmë se ai tashmë e ka marrë. Ne vazhdojmë të bëjmë përpjekjet maksimale për ta frenuar atë nga zbatimi i vendimit të tij dhe deri në minutën e fundit, do të ketë një mundësi që ai të tërhiqet”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

 

Advertisement

Ndërsa Rusia ka mohuar vazhdimisht pretendimet se ka plane për të sulmuar fqinjin e saj, bombardimet këtë javë në Ukrainën lindore pranë zonave të kontrolluara nga separatistët pro-rusë të mbështetur nga Moska, kanë përshkallëzuar tensionet.

 

Në një konferencë të fundit për shtyp në Moskë, Presidenti Vladimir Putin kritikoi ashpër vendet anëtare të NATO-s për mos shqyrtimin e kërkesave të Rusisë në lidhje me sigurinë, një akuzë që Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë.

 

Advertisement

“Ne mund të shqyrtojmë disa nga shqetësimet e tij të sigurisë. Ne i kemi dhënë atij dokumente në të cilat i kemi shtjelluar këto çështje. Do të ishte vërtet një vendim i lehtë për të. Gjithçka që ai duhet të bëjë është të zgjedhë rrugën diplomatike”, thotë Kristina Kvien, ushtruese e detyrës së ambasadores amerikane në Ukrainë.

 

Ndërsa të dyja vendet kanë premtuar publikisht se nuk ka plane për të sulmuar Ukrainën, Rusia dhe fqinji i saj Bjellorusia vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake në kufirin verior të Ukrainës.

 

Advertisement

“Nuk do të ketë ndërhyrje dhe nuk ka plane të tilla. Ajo është sqaruar në dokumentet ruse që ne ua kemi përcjellë miqve tanë amerikanë dhe Departamentit të Shtetit. Rusia ka deklaruar publikisht gatishmërinë e saj për të vazhduar përpjekjet diplomatike për trajtimin e të gjitha çështjeve të pazgjidhura. Trupat ruse janë në territorin sovran rus. Ne nuk kërcënojmë askënd”, tha ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov.

 

Ushtarët amerikanë nga Divizioni i 101-të Ajror, të dislokuar në Evropë, janë një demonstrim i mbështetjes së vazhdueshme për aleatët e NATO-s. Kërkesa kryesore e Rusisë ndaj Perëndimit është që Ukraina të mos lejohet kurrë të hyjë në NATO, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë./ Voa

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy