Zgjedhjet në Irak, provë për demokracinë apo teatër politik?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Zgjedhjet në Irak, provë për demokracinë apo teatër politik?

Irakianët votuan të dielën në zgjedhjet parlamentare të planifikuara fillimisht për në vitin 2022, por që u u mbajtën më herët në përgjigje të protestave masive të vitit 2019. Disa analistë thonë se ato janë një provë për sistemin demokratik të Irakut, por shumë aktivistë thonë se zgjedhjet janë dëmtuar nga korrupsioni dhe sektarizmi, duke mos sjellë asnjë ndryshim. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock njofton nga Bagdadi.

Në një kafene të kryeqytetit irakian, 19-vjeçari Hamad tregon fotografi të tij duke protestuar në vitin 2019, në atë që disa e quajtën “lëvizja më e madhe shoqërore në historinë moderne të vendit”.

Protestuesit kërkuan rrëzimin e qeverisë që e konsideronin të korruptuar dhe joefektive. Qindra irakianë u vranë, u plagosën ose u rrëmbyen në dhunën që pasoi.

Qeveria bëri një lëshim të dukshëm, duke mbajtur zgjedhjet e parakohshme.

Advertisement

Por shumë aktivistë, si Hamadi, thonë se zgjedhjet parlamentare janë po aq të korruptuara sa qeveria që duan të zëvendësojnë.

“Nëse do të merrja pjesë, do të më vriste ndërgjegja gjatë gjithë jetës, për një krim të tillë të shëmtuar mbi miliona irakianë”, thotë Hamadi për Zërin e Amerikës.

Por pas sondazheve të dielën në mëngjes, mendimet e votuesve ishin po aq të ndryshme sa vetë vendi me grupe etnike, besime dhe sekte të ndryshme.

“Nëse fitojnë 10% e përfaqësuesve vërtet të pavarur, zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në një shtet të vërtetë, pa grupe të armatosura jashtë kontrollit të qeverisë. Kjo është ajo që ne shpresojmë”, thotë votuesi Sa’ad Ali.

Advertisement

Banorë të tjerë nxitojnë të shpjegojnë përse nuk janë as të regjistruar për të votuar, duke thënë se në 18 vitet e ashtuquajtura demokraci që kur ra Saddam Husseini, irakianët janë ende pa shërbimet bazë dhe mbështetje nga qeveria.

“As nuk do të përmend vrasjet apo mungesën e sigurisë. Por shërbimet. Kur temperatura është 50 gradë Celsius, energjia elektrike vjen për një orë, ose vetëm gjysmë ore”, thotë votuesja Zainab, banore në Bagdat.

Këto zgjedhje pritet të rezultojnë gjerësisht në fitore për mbështetësit e klerikut irakian Muqtada al-Sadr, një udhëheqës populist shiit që aktualisht qëndron kundër ndërhyrjeve të huaja nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara.

Në sistemin e ndërlikuar sektar të Irakut, megjithatë, mund të duhen javë ose muaj që organi i ri parlamentar të emërojë një kryeministër dhe të formojë një qeveri, pavarësisht se cilat parti fiton shumicën e vendeve në parlament.

Advertisement

“Ne kemi nevojë për një kryeministër të fortë që mbështetet nga parlamenti dhe populli. Konfliktet në Irak janë të ashpra. Ka elemente sektare dhe racore dhe deklarata fyese që çojnë në ndasi sociale”, thotë Issam Hussein, zëdhënës i lëvizjes Sadr.

Por politikanët nga partitë më të reja thonë se janë partitë e mëdha si ajo e Sadrit ato që propagandojnë ndarje sektare dhe nxisin ciklin në dukje të padepërtueshëm të korrupsionit.

“Qëllimi ynë kryesor është të ringjallërimi i identitetit kombëtar sepse shumë irakianë e kanë humbur atë dhe kanë besnikëri vetëm ndaj sekteve të tyre. Një nga nevojat themelore është pajtimi mes njerëzve dhe në parlament”, thotë Mushriq al-Freaji me Lëvizjen e të Drejtave.

Ligjet e përmirësuara të zgjedhjeve i kanë lënë hapësirë më shumë partive të reja të pavarura të kandidojnë për poste por, ai shton se, nëse zgjedhjet nuk prodhojnë një lloj shprese për ndryshim në vendin ende të tronditur nga dekadat e luftës dhe shkatërrimit ekonomik, tensionet që shpërthyen në protestat masive në rrugë në vitin 2019, do të kthehen lehtësisht, përsëri./VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy