Zgjedhjet vënë në provë ligjet e reja të votimit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gara e fundit e zgjedhjeve afatmesme të vitit 2022 për Senatin, është ajo e shtetit jugor të Xhorxhias, rezultati i së cilës do të përcaktohet në balotazh më 6 dhjetor. Pjesëmarrja në këtë garë ishte e lartë javën e kaluar, pavarësisht kufizimeve të reja të votimit. Disa vëzhgues janë të shqetësuar se këto kufizime do të ulin pjesëmarrjen e votuesve më të varfër dhe të pakicave.

“Ishte një ditë shumë e suksesshme zgjedhjesh”, tha Sekretari i Shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger në një konferencë shtypi një ditë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit në shtetin e tij. Zoti Raffensperger, një republikan, tha se ligjet e reja të votimit në shtetin e Xhorxhias nuk ndikuan në pjesëmarrje dhe se pengesat e mëdha në ditën e zgjedhjeve u shmangën sepse një numër rekord njerëzish shfrytëzuan votimin në ditët parazgjedhore, të tilla si votimi me postë dhe votimi i parakohshëm.

Advertisement

“Koha e pritjes për votuesit ishte mesatarisht dy minuta në të gjithë shtetin”, tha sekretari i shtetit. Zyrtarët zgjedhorë të Xhorxhias thanë se më shumë vota u hodhën në vitin 2022 sesa në çdo zgjedhje të mëparshme të mesmandatit.

Balotazhi në Xhorxhia

Advertisement

Brenda vetëm disa javësh, pjesëmarrja e votuesve në Xhorxhia do të vihet sërish në provë ndërsa senatori aktual demokrat Raphael Warnock përballet me sfiduesin e tij republikan, Herschel Walker. Me më shumë se 3.8 milionë vota të hedhura më 8 nëntor, asnjëri nga kandidatët nuk mori më shumë se 50% të votave në garën trepalëshe me një kandidat të palës së tretë, gjë që çoi në balotazh mes dy votuesve kryesorë.

Gara mes dy kandidatëve afrikano-amerikanë ka qenë në qendër të vëmendjes kombëtare. Përpara zgjedhjeve afatmesme, gara në Xhorxhia mendohej se ishte një nga disa garat që do të vendosnin se cila parti do të kontrollonte Senatin për dy vitet e ardhshme. Tani, do të përcaktojë nëse demokratët do të rrisin shumicën e tyre vetëm me një votë.

Advertisement

Dalja edhe një herë në votime

Organizata më e madhe e vendit për të drejtat civile ka nisur përpjekjet për të mobilizuar edhe një herë votuesit afrikano-amerikanë të Xhorxhias dhe votuesit e pakicave të tjera, të cilët ishin vendimtarë në fitoren e Presidentit Joe Biden në vitin 2020 në këtë shtet, si dhe në balotazhin e zgjedhjeve të vitit 2021 të dy senatorëve demokratë. Ishte një rezultat historik në Xhorxhia, e cila ka qenë një shtet republikan i besueshëm për dekada.

Advertisement

“Kemi ende punë për të bërë”, tha Gerald Griggs, president i kësaj organizate në Xhorxhia. “Njerëzit tanë siguruan që një numër rekord i afrikano-amerikanëve të dilnin dhe të votonin. Por tani kemi një balotazh dhe është koha që të kthehemi dhe të mobilizohemi”.

Suley Usman, nga Smirna në Xhorxhia, hodhi votën e tij pa asnjë problem 10 ditë përpara ditës së zgjedhjeve.

Advertisement

“Jam absolutisht i motivuar për të votuar sërish në balotazh”, tha ai për Zërin e Amerikës. “Dua të them fjalën time për atë që zgjidhet”.

Mes një klime të debatueshme politike në të cilën shumë republikanë të spikatur pretenduan se zgjedhjet që i dhanë Presidentit Biden fitoren në vitin 2020 ishin të manipuluara, Xhorxhia ishte një nga më shumë se 20 shtetet e udhëhequra nga republikanët që rishikuan ligjet e tyre zgjedhore në vitin 2021, në atë që zyrtarët e paraqitën si një përpjekje për të rritur besimin dhe integritetin e votimit. Masat përfshinin rregulla më të rrepta për kërkesat e identifikimit për votimin me postë, reduktimin e numrit të ditëve për votim të hershëm dhe kufizimin e qasjes në kutitë e votimit.

Advertisement

Kritikët i quajtën ligjet e reja të padrejta dhe tentativa të fshehta për të dekurajuar votimin nga të varfërit dhe pakicat.

“Këto lloje taktikash synojnë të shtypin votat”, tha Andrea Hailey, drejtore ekzekutive e organizatës Vote.org, në një deklaratë të cituar nga Associated Press të hënën. Si përgjigje, organizata dhe grupet e tjera të mbrojtjes së votës nisën programe për të edukuar votuesit dhe për të kapërcyer çdo ndikim negativ që ligjet e reja të votimit mund të kenë pasur në pjesëmarrje.

Advertisement

“Banorët e Xhorxhias kanë treguar se janë të gatshëm të navigojnë në mjedise të vështira votimi në mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen”, tha zonja Hailey.

Në të kaluarën, garat e balotazhit në Xhorxhia janë mbajtur nëntë javë pas ditës së zgjedhjeve, por këtë vit sezoni i fushatës së balotazhit është shkurtuar në katër javë, një periudhë kohore që përjashton regjistrimet e reja të votuesve.

Advertisement

Disa votues e kanë marrë parasysh këtë ndryshim.

“Unë absolutisht besoj se po ndërmerren veprime në të gjithë aparatin dhe procesin e votimit që nuk ka nevojë të ndërmerren”, tha zoti Usman. “Unë mendoj se të qenit një votues i informuar është çelësi”.

Advertisement

Pjesëmarrja dhe votimi

Në të gjithë vendin, dhjetëra miliona votues amerikanë lejuan zërin e tyre të dëgjohej javën e kaluar – në një numër rekord pjesëmarrjeje në zgjedhjet afatmesme në shumë shtete – pavarësisht parashikimeve për dhunë të mundshme politike, frikësimin e votuesve dhe heqjes së të drejtës së votës. Në përgjithësi, u raportuan relativisht pak probleme në votim.

Advertisement

Në Arizona, çështje të izoluara me makinat e votimit shkaktuan pretendime të pabaza për mashtrim. Zyrtarët shtetërorë i mohuan me shpejtësi akuzat dhe deklaruan besim në integritetin e zgjedhjeve.

Në pjesë të tjera të vendit, shumë votues thanë se kishin pak ose aspak vështirësi për të votuar.

Advertisement

“Më vjen mirë që nuk kishte komplikime”, tha Bill Murphy, një votues në distriktin Prince George në shtetin Merilend, i cili priti në radhë të gjata në vendin e tij të votimit, por e përfundoi procesin në 10 minuta.

“Kjo tregon se njerëzit që drejtojnë zgjedhjet këtu ishin të përgatitur këtë herë”, shtoi ai./voa

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy