
Edhe kandidati i koalicionit Aleanca Kombetare për Integrim për komunën e Likovës, Erkan Arifi, ka reaguar pas rastit të sulmit të armatosur ndaj bartësit të listës në këtë komunë, Zekirija Shahini.
Arifi ka kërkuar së MPB dhe Prokuroria të reagojnë sa më shpejt dhe të identifikojnë sulmuesit.
Ai ka apeluar të gjithë mbështetësit e AKI-t që të qëndrojnë të matur dhe të mos bien pre e provokimeve.
Reagimi i plotë:
Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati.U bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë, simpatizantëve dhe qytetarëve në përgjithësi që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë.Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme, ndërsa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e besimit publik dhe sigurisë në terren.