Gostivar, mbi 11 mijë të papunë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në pritje të shpalljes së planit të ri operativ me masa aktive për punësim nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, institucionet rajonale janë duke analizuar rezultatet nga viti i kaluar. Kjo vërehet edhe nga të dhënat që japin qendrat për punësim, ku sipas tyre realizimi i masave është bërë pa ndonjë pengesë për shkak të pandemisë. Nga Qendra për punësim në Gostivar vlerësojnë se pandemia nuk ka ndikuar në dinamikën e realizimit të masave për vetëpunësim. Drejtues të kësaj qendre janë të kënaqur që nuk ka patur ndërprerje në këtë proces. Përmes këtyre masave, punë kanë gjetur 350 persona, të cilët kanë qenë të evidentuar si të papunë.

“Edhe përskaj pandemisë, ne si qendër për punësim në Gostivar nuk kemi patur pengesa gjatë realizimit të masave aktive për punësim gjatë vitit 2020. Rreth 95 për qind e masave aktive janë realizuar. Përmes këtyre masave janë punësuar 350 persona, të cilët kanë figuruar në evidencë si të papunësuar”, thonë nga Qendra për punësim në Gostivar.

Me qëllim uljen e papunësisë dhe realizimin e disa masave për vetëpunësim, nga buxheti i shtetit gjatë 2020 janë ndarë 1 milion e 700 mijë denarë. Në ndërkohë, në Gostivar janë në rrjedhë e sipër trajnimet për kuadrin deficitar, kryesisht kemi të bëjmë me trajnime për floktar dhe mjeshtër për ëmbëlsira. Të papunët të cilët janë lajmëruar që të ndjekin trajnimet teorike dhe atë praktike do të pajisen me certifikatë, në ndërkohë marrin një kompensim prej 150 euro. “Tashmë ka një muaj që ka filluar ky trajnim. Trajnimet kryhen në universitetin e punëtorëve dhe në një firmë private, e cila kishte hapësira të mira për këto trajnime. Këto trajnime do të zgjasin tre muaj, pra dy muaj do të kenë mësim teorik dhe një muaj mësim praktik. Pas përfundimit të këtij trajnimi do të pajisen me certifikatë e cila njihet edhe në vendet e Bashkimit Evropian” pohojnë nga Qendra për punësim në Gostivar.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Gostivar janë të evidentuar 11.559 persona të papunë. Sipas këtyre të dhënave, në mesin e 7780 personave figurojnë të tillë që janë me shkollë fillore dhe një pjesë pa shkollë. Në bazë të këtyre të dhënave, në Gostivar dhe rrethinë 2530 persona që janë të papunë, janë me shkollë të mesme, kurse 449 persona që janë të evidentuar në këtë grup të të papunësuarve nuk e kanë kryer shkollën e mesme. Me arsim të lartë në listën e të papunëve janë 53 persona. Punë në Qendrën për punësim në Gostivar kërkojnë edhe 681 persona të cilët kanë kryer një fakultet, kurse të papunësuar janë edhe 66 persona me magjistraturë. Nga numri i përgjithshëm i atyre që kërkojnë punë, 1469 persona presin që të punësohen prej pesë deri në 7 vjet, ndërsa 316 më shumë se tetë vite. (koha.mk)

Advertisement

 

Gostivar, mbi 11 mijë të papunë shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy