Identifikimi i viktimave do të zgjasë shtatë ditë, i merret licenca kompanisë së autobusit të aksidentuar

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Identifikimi i 45 të vdekurve në fatkeqësinë e rëndë të 23 nëntorit do të bëhet pasi që të merret material biologjik nga të afërmit e viktimave. Pritet kjo të zgjasë së paku shtatë ditë dhe kur të përfundojë do të organizohet bartja e mbetjeve të tyre mortore nga Bullgaria në vend.

Në takim me kryeprokurorin kompetent, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dje në Sofje bisedoi që të përshpejtohet grumbullimi i materialit biologjik nga të afërmit, i cili duhet të krahasohet me ADN-në e viktimave, për çka në Shkup do të dërgohet një ekip i hetuesve bullgarë. Pas përfundimit të identifikimit të të vdekurve, MPJ përkatësisht shteti, tha Osmani, do t’i marrë trupat dhe do të organizojë transportin deri në Shkup.

Ai dje i vizitoi edhe shtatë udhëtarët të cilët i mbijetuan fatkeqësisë dhe tha se janë në gjendje stabile dhe të mirë në përgjithësi, por disa prej tyre janë në gjendje të rëndë psiqike dhe u nevojitet ndihmë profesionale.

Ata ndodhen në spitalin në Sofje “Pirogov” – gjashtë janë hospitalizuar në Klinikën për djegje dhe kirurgji plastike dhe njëri në traumatologji dhe u janë bërë të gjitha intervenimet urgjente të nevojshme.

Advertisement

Ministria jonë e Shëndetësisë kumtoi se të gjithë shtatë pacientët do të mbeten për mjekim spitalor, e më pas do të bëhet plani për transportin e tyre në Shkup.

Në hetimin për fatkeqësinë e autobusit që pardje ndodhi në autostradën “Struma” po punon Prokuroria bullgare, ndërsa shefi i diplomacisë pret rezultate të shpejta.

“Mora përshtypje se këtu, në Prokurorinë e Bullgarisë, i është dhënë prioritet i lartë këtij hetimi dhe se seriozisht janë të zënë që sa më parë të dalin me rezultate. Shpresoj se ky hetim do të zhvillohet hollësisht në mënyrë që të caktohen shkaqet e vërteta të tragjedisë”, deklaroi Osmani.

Me prokurorin hetues, tha, biseduan edhe për spekulimet lidhur me shkaqet e fatkeqësisë, duke përmendur se ato janë të dëmshme për hetimin, e shtyjnë, e përkeqësojnë gjendjen edhe ashtu të rëndë emocionale të familjeve.

Advertisement

Ekspertët dhe hetuesit punojnë në përcaktimin e lëvizjes së autobusit, vendet ku ka pushuar dhe shpejtësinë me të cilën ka lëvizur. Është formuar ekip me përfaqësues të Agjencisë për infrastrukturë rrugore dhe nga Drejtoria për kontroll nacional në ndërtimtari në Bullgari, e cila në afat prej pesë ditëve duhet të kryejë ekspertizë ku ka ndodhur fatkeqësia. Në bazë të rezultateve dhe kontrolleve duhet të prezantojë raport për gjendjen e aksit, si dhe të vlerësojë çfarë masa do të ndërmerren për ripërtëritjen e saj.

Ekspertët bullgarë të sigurisë në rrugë cekin shkaqe të mundshme për fatkeqësinë e rëndë, si shenja të zbehta horizontale në rrugë, mungesa e sinjalizimit rrugor, gjendja e keqe e sinjalizimit reflektues, kontrabanda e mundshme e derivateve apo gabimi njerëzor… Sipas Rumen Radevit, autobusi dy herë ka pasur ndalje, ndërsa vozitësi nuk ka fjetur. Ai pohon se autobusi është djegur që para se ta marrë rrethojën mbrojtëse nga kthesa.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dje informoi se ndërmarrjes-transportuese “Besa trans BTB” i merret licenca për punë, përkatësisht i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë. Kumtoi se për autobusin në të cilin jetën e humbën 45 udhëtarë nuk ka pasur ekstrakt nga licenca për kryerje të transportit të lirë ndërkombëtar, e as ndërkaq, për lloj tjetër të transportit publik të udhëtarëve, ndërsa automjeti nuk është evidentuar në evidencën elektronike të licencave të dhëna.

Në kumtesë u cek se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka regjistruar katër automjete të licencuara të ndërmarrjes “Besa trans BTB”, por mes tyre nuk është autobusi që u dogj pardje.

Advertisement

Sektori për përgjegjësi profesionale të Drejtorisë së doganave dje në VK “Deve Bair” kreu kontroll të detajuar të veprimit të transportuesit dhe të nëpunësve doganorë në ditën e daljes së autobusit nga shteti, në pajtim me kompetencat e caktuara me Ligjin për transport në komunikacionin rrugor.

Rezultatet fillestare nga kontrolli i brendshëm, siç kumtoi Dogana, tregojnë se më 18 nëntor nga nëpunësit doganorë në mënyrë elektronike nuk është evidentuar dalja e automjetit me targa SK0284BA e transportuesit “Besa trans” nga Shkupi, është bërë vetëm kontrolli i listës evidentuese për transport të udhëtarëve. Pas parregullsive të konstatuara deri më tani në veprim, paralajmëruan se dy nëpunësit doganorë, të cilët kanë qenë në ndërrim kur automjeti ka dalë nga shteti, do të suspendohen nga vendi i punës, ndërsa udhëheqësi i tyre i drejtpërdrejtë do të sanksionohet.

Në vend sot është dita e tretë e zisë për viktimat e fatkeqësisë dhe janë anuluar ngjarjet kulturore dhe sportive, ndërsa nuk do të mbahet as mbledhja kuvendore për pyetjet e deputetëve.

Në Shkup dej u mbajt marsh komemorativ i nxënësve dhe të punësuarve në SHF “Ismail Qemali” në Çair, duke iu shprehur respekt pesë nxënësve të tyre të vdekur. Komuna e Çairit në mbledhje të jashtëzakonshme solli vendim për ndihmë financiare për familjet e viktimave dhe vendosi për atë qëllim t’i ridedikojë mjetet e parapara për zbukurimin e Vitit të Ri. Edhe Komuna Gazi Babë paralajmëroi se do t’i bashkangjitet aksionit humanitar të kryqit të Kuq për sigurim të ndihmës financiare për familjet e të pësuarve.

Advertisement

Identifikimi i viktimave do të zgjasë shtatë ditë, i merret licenca kompanisë së autobusit të aksidentuar shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy