Maqedoni, borxh të ri për paga dhe pensione

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Rritja shtesë e paralajmëruar e pensioneve, përskaj asaj së rregullt dy herë në vit, ndihma e paralajmëruar në të holla për pensionistët, rritja e pagës minimale si dhe kërkesat e sindikatave për rritjen edhe të pagave të tjera në administratë kanë ngritur në opinion edhe çështjen se sa arka e shtetit do të mund të mbajë barrën e rritjes së të ardhurave mujore të pensionistëve dhe të punësuarve. Kjo çështje shtrohet edhe në kohën kur akoma shteti po ballafaqohet me krizën shëndetësore të pandemisë.

Gjithashtu në rritje e sipër është edhe kostoja e krizës ekonomike si rrjedhojë e pandemisë, por edhe faturat në rritje për shtetin për krizën energjetike. Shteti deri tani ka miratuar 170 milionë euro për tu ballfaquar me krizën energjetike. Mbulimi i dallimit të çmimit aktual dhe real të ngrohjes në Shkup, ndihma për kompanitë energjetike, furnizimi me qymyr, mazut dhe gaz etj janë një pjesë e harxhimeve të shtetit, që deri në fund të vitit edhe mund të rriten për shkak të joparashikueshmërisë së krizës energjetike që po trondit tërë botën. Për më tepër edhe komunat kërkojnë ndihmë nga shteti për shkak se ankohen se për disa muaj kanë harxhuar mjetet e parashikuara për energji elektrike, ndërsa ndihmë po kërkon edhe biznesi i ushqimit dhe transportuesit për të zbutur pasojat e rritjes tejet të madhe të karburanteve të naftës.

Ekonomistët thonë se standardi I qytetarëve është seriozisht i kanosur nga rritja e madhe e çmimeve të artikujve për konsum të përditshëm, rritja e çmimeve të karburanteve, por edhe nga rritja e më shumë shërbimeve të tjera që e bëjnë të vështirë jetesën e përditshme të qytetarëve. Mirëpo shtojnë se shteti në fakt gjendet midis dy teheve, nevojës për rritjen e pagave nga njëra anë në një ambient akoma të pakonsoliduar nga pandemia ku biznesi vuan nga jolikiuditeti, rënia e vëllimit të punës dhe nga ana tjetër nga problemi se ku do të merren këto të holla me të cilat do të rriten pagat dhe pensionet.

“Fakti se gjysma e pensionistëve nuk marrin pensione as prej 250 euro, se shumica e pensionistëve harxhojnë të ardhurat për ushqime, ilaçe dhe pagesën e llogarive mujore flet se duhet të rriten pensionet. Njëherësh edhe rritja e kostos së jetesës së përditshme flet se nevojitet të rriten të ardhurat mujore si në sektorin publik ashtu edhe atë privat. Mirëpo në kushte kur ekonomia akoma ngadalë po rikuperohet nga pandemia, kemi harxhime të mëdha të shkaktuara nga kriza energjetike, kur akoma edhe shtetet perëndimore ku ne kryesisht eksportojmë ngadalë po rikuperojnë ekonomitë e tyre , duhet bërë kujdes midis rritjes së caktuar të të ardhurave mujore në përgjithësi në vend si dhe faktit se nga do të sigurohen këto mjete financiare”, thotë profesori universitetar Neritan Turkeshi. Duhet marrë parasysh se për shembull nëse rriten pensionet për 20 për qind, dhe pagat për 20 për qind do të kemi rritje të harxhimeve prej 500 në 600 milionë euro për paga dhe nga një miliardë në 1.2 miliardë për pensione apo ngarkesë të re për buxhetin prej afër 300 milionë euro në vit për arkën e shtetit, e kjo nënkupton borxhe të reja apo rritje të borxhit publik, apo edhe shqyrtimin e rritjes së tatimeve.

Advertisement

Pra duhet të rriten edhe pagat edhe pensionet, mirëpo pas analizave të kujdesshme, racionalizimit të punës së administratës së shtetit, apo rritjes së efikasitetit të punës së saj, lehtësimit të punës së bizneseve. “Vështirë se mund të plotësohen kërkesat për rritjen e pensioneve dhe pagave nëse nuk merren borxhe të reja, për shkak se të mos harrojmë se sivjet kemi projektuar një buxhet të madh prej gati 4.4 miliardë euro ku shtrohet pyetja sa ai do të arrijë të sigurojë rritjen dhe rikueprimin ekonomik, sa do të arrihet të realizohen të ardhurat karshi shpenzimeve, sa do të jetë në fund të vitit deficit apo dallimi midis të ardhurave që planifikohen dhe atyre që nuk do të realizohen, a do të shkurtohen sërish investimet kapitale si shtytja më e madhe e rritjes ekonomike e kështu me radhë”, shton Turkeshi. Sipas tij, nevojitet që të ofrohen më shumë lehtësime fiskale për biznesin, të shkurtohen harxhimet e ndryshme të panevojshme siç janë ato parafiskale ku për shembull të punësuarit paguajnë sigurim shëndetësor dhe sërish ju nënshtrohen kontrolleve të rregullta sistematike në vendin e punës, apo punëdhënësi me fjalë të tjera i nënshtrohet harxhimeve të dyfishta.

Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se në vit për pagesën e pensioneve shkojnë afër një miliardë euro, ku gati gjysma vjen nga kontributet e të punësuarve, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga arka e shtetit. Gjithashtu për paga në sektorin publik harxhohen afër 500 milionë euro në vit.

Në ndërkohë afaristi Venko Gligorov në analizën e tij në rrjetet sociale shkruan se edhe 500 euro pagë minimale në sektorin privat nuk është një qëllim që nuk mund të arrihet. Sipas tij, që të mund të arrihet deri tek kjo pagë, nevojitet që shteti të solidarizohet dhe të thotë se për pagë minimale prej 500 euro, kontributet dhe pagesat e ndryshme do të përllogarriten në 200 euro, ndërsa dallimi deri në 500 euro që në fakt është rritje “artificiale”, të mos ketë asçfarë kompensimesh dhe pagesash. Apo deri në 300 euro të ketë zero obligime, ndërsa prej 300 deri 500 euro të pëgjysmohen kompensimet ndaj shtetit, ndërsa nga 500 euro e tutje, kompensimet të jenë të plota. Kjo do të vlente për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, pavarësisht lartësisë së tashme të pagave të tyre. Ai sugjeron edhe uljen e korrupsionit prej disa qindra milionë euro, ngrirjen e pagave në administratë dhe punësimet përmes agjencive dhe marrëveshjeve në vepër. Sipas tij, masat për rritjen e pagave në sektorin privat nuk duhet të ndërlidhen me pagat në sektorin shtetëror në mënyrë lineare, por duhet korrigjuar struktura e tyre, me ç’rast fondi për paga nuk duhet të tejkalojë fondin e tanishëm. Pra, ai sugjeron rritjen e pagave në shëndetësi, arsim dhe uljen e tyre në qindra agjenci që vështirë se dihet se çka punojnë. Njëherësh sipas Gligorov, qeveria duhet të obligohet se do të fillojë edhe projektin trevjeçar të largimit shkallë shkallë dhe rikualifikimit nga administrata shtetërore, që të mund të arrihet deri tek shifra e uljes prej 30 për qind e administratës shtetërore. Sindikatat nevojitet që përmes 50 për qind të shumës së paguar të anëtarësimit, në vend të pagave për administratë e tyre, ta shfrytëzojnë për edukimin dhe rikualifikimin e industrive të caktuara që nuk janë me perspektivë. Shteti duhet edhe të kufizojë numrin e të punësuarvë në sindikata për shembull për 50 mijë anëtarë në maksimum 5 të punësuar në sindikatë. Me fjalë të tjera një model i lartëpërmendur kërkon edhe qartësim dhe saktësim që të jetë i sukesshëm dhe i mirë për të gjithë, ku të gjithë heqin dorë dhe ofrojnë diçka për të mirën e përgjithshme, konstaton Gligorov. (koha.mk)

 

Advertisement

Maqedoni, borxh të ri për paga dhe pensione shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy