Maqedonia e Veriut detyrohet t’i kthejë dy milionë euro BE-së të keqpërdorura nga programi “Erasmus Plus”

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Maqedonia e Veriut për vite me radhë është pjesë e matricës së BE-së për ndihmë para aderimit në BE. Programet që janë aplikuar në vendin tonë janë fondet IPA, IPARD dhe fondet nga Erasmus Plus. Po jo rrallë herë Maqedonia e Veriut është bërë pjesë e skandaleve për keq menaxhimin e këtyre fondeve. Së fundmi, Agjencia Kombëtare për Programet e Arsimit dhe Mobilitetit ka marrë njoftimin zyrtar (notën e debitit) se brenda 30 deri në 45 ditëve shteti duhet të kthejë 2.2 milionë euro që janë keqpërdorur nga programi evropian Erasmus + në periudhën 2016-2018.

Drejtori i Agjencisë Marko Gjeorgievski tha se bashkë me Ministrinë e Financave janë duke kërkuar mënyra për kthimin e mjeteve. Autoritetet hetimore dhe Prokuroria po hetojnë se cilët janë përdoruesit që kanë keqpërdorur paratë evropiane.

“Afati për kthimin e 2.2 milionë eurove që duhet të kthejë Agjencia Kombëtare e Programeve Arsimore dhe Mobilitet është 30 deri në 45 ditë. Ne po shqyrtojmë me Ministrinë e Financave të gjitha opsionet e mundshme për kthimin e fondeve. Aktualisht ka qeveri teknike dhe me ribalancimin e ri pas zgjedhjeve, këto fonde me siguri do të sigurohen. Deri atëherë do të gjejmë përpjekje bashkë me Ministrinë e Financave që këto mjete të kthehen”, tha Gjorgievski.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, u shpreh se janë duke kërkuar mënyrë për të kthyer një pjesë të mjeteve, ndërsa pjesën tjetër ta heqin nga shumat për disa projekte të ardhshme. Ai shtoi se dokumentacioni i është dorëzuar organeve hetimore dhe Prokurorisë, ndaj pret që së shpejti të dalin me sqarim se kush i ka kryer abuzimet.

Advertisement

“Kjo është zbuluar me ndihmën e kolegëve të Agjencisë dhe qëllimi është që të mos përsëritet. Të ketë një kontroll më të fortë dhe të ketë mënyrë për t’i njohur si në kontrollet e mëparshme ashtu edhe gjatë zbatimit të projekteve në mënyrë që këto situata të mos përsëriten”, tha Mariçiq.

Ai shtoi se ambasadori evropian në vend, David Geer, ka paralajmëruar se nuk do të ketë pasoja për Agjencinë, sepse nuk ka asnjë përfshirje të saj dhe të gjitha mjetet për programin e ri Erasmus plus do të mbesin në të njëjtën shumë sa janë ndarë për Maqedoninë e Veriut.

Nga hetimi i kryer nga Komisioni Evropian Kundër Mashtrimit (OLAF) u konstatua se në periudhën 2016-2018, 22 përfitues nga RMV-ja kanë keqpërdorur paratë nga grantet evropiane të ndara përmes programit Erasmus +, kështu OLAF kërkoi që RMV-ja t’i kthejë 2.2 milionë euro. Në këtë rast është e përfshirë ish drejtoresha e Agjencisë për Programe Arsimore dhe Mobilitet, Lidija Dimova, pasi Agjencia kishte ndarë grante nga programi “Erasmus 2” në vlerë prej 270 mijë euro për një parukieri. Procesi gjyqësor në Gjykatën Penale kundër Dimovës filloi më 2 shkurt 2023.

Ndryshe, në maj të vitit 2021 shteti i ktheu Komisionit Evropian 1.7 milionë euro për keqpërdorim të fondeve evropiane. Shkak është hetimi ndaj ish-sekretarit shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jahi Jahiju. Hetimin e udhëhiqte Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me Eurodrejtësinë dhe Zyrën Kundër Mashtrimeve të BE-së, OLAF. Edhe pse shteti para gati tre viteve i ktheu paratë, gjykata ende nuk ka vendosur nëse Jahija dhe bashkëpunëtorja e tij janë fajtorë./Koha.mk/

Advertisement

Maqedonia e Veriut detyrohet t’i kthejë dy milionë euro BE-së të keqpërdorura nga programi “Erasmus Plus” shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy