Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL), në Budva. Ky është takimi i fundit ministror në kuadër të Kryesimit malazez, para marrjes së Kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut më 1 korrik.
Në fjalimin para homologëve të tij dhe mysafirëve, Osmani falënderoi për kryesimin e suksesshëm të Malit të Zi, duke afirmuar gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut që përmes prioriteteve dhe angazhimit të saj, iniciativa të vazhdojë të jetë platformë e dobishme për bashkëpunim në rajon.
“Maqedonia e Veriut merr kryesimin në kohëra të vështira, duke pasur parasysh seriozitetin e luftës që po zhvillohet në kontinentin tonë kundër Ukrainës sovrane dhe të pavarur. Kur i shqyrtuam prioritetet e mundshme të mandatit tonë si kryesues i ardhshëm, pikërisht kjo, si dhe sfidat e mbetura rajonale dhe çështjet e hapura, na bënë të ktheheshim te vlerat bazë mbi të cilat mbështetet iniciativa – marrëdhëniet e mira fqinjësore, stabiliteti, siguria, bashkëpunimi, aspirata për integrimin e vendeve tona në familjen euroatlantike të popujve të lirë dhe demokratikë”, tha Osmani.
Ndër tjerash ai e theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët për të mirën e qytetarëve të rajonit dhe në këtë kontekst edhe rolin e madh të vendeve pjesëmarrëse të PBEJL-së të cilat janë edhe vende anëtare të BE-së. Ai shprehu mirënjohje për planin e ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, të shpallur nga Kryetarja e Komisionit Evropian Von Der Leyen javën e kaluar në Bratisllavë, si përgjigje në kohë ndaj lutjes sonë për integrim më të madh para anëtarësimit në BE. “Madje nga sot, ky proces duhet të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit për njerëzit e Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani.
The post Maqedonia e Veriut merr kryesimin me PBEJL appeared first on Telegrafi.