Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media, e prezantoi Buxhetin e Ministrisë për Punë të Jashtme për vitin 2022, i cili është edhe buxheti më i madh i MPJ-së, me të cilin jo vetëm që ndërpritet praktika e reduktimit të mjeteve të dedikuara për diplomacinë, por ka një rritje prej gati 30% (28%) krahasuar me vitin 2021, që paraqet potencial serioz për rinovimin e të gjitha funksioneve të diplomacisë.
“Politika e jashtme ka qenë gjithmonë nën presionin e nevojës për diplomaci të fuqishme, moderne dhe profesionale nga njëra anë dhe situatës ekonomike dhe si rrjedhojë edhe prioriteteve të buxhetit të shtetit nga ana tjetër. Buxheti i MPJ-së për vitin 2022 është projektuar në një miliard e gjashtëqind e pesëdhjetë milionë denarë, ose rreth 27 milionë euro; që është një rritje prej diç më shumë se 360 milionë denarë, ose rreth gjashtë milionë euro” theksoi Osmani.
Duke e informuar opinionin për buxhetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për vitin 2022, Ministri vuri në dukje se këto mjete do të përdoren për shpenzimet që kanë të bëjnë me plotësimin e të gjitha posteve vakante të ambasadorëve, paisjen e ambasadave dhe konsullatave me staf shtesë diplomatik, ndërsa në këto mjete përfshihen edhe shpenzimet për këshilltarët ekonomik në Ambasada, por edhe forcimin e kuadrove për komunikim me Diasporën.
Krahas aktivitetit të rregullt diplomatik, në vitin e ardhshëm- 2022, Republika e Maqedonisë së Veriut do të fillojë me obligimet lidhur me kryesimin e OSBE-së në vitin 2023; proces që në thelb zgjat tre vjet, duke filluar nga 1 janari i vitit 2023. Për këtë qëllim, në buxhetin e vitit 2022 janë paraparë rreth 110 milionë denarë, ose rreth 1,8 milionë euro. Në përputhje me angazhimet e marra për kryesimin me OSBE-në, në vitin 2022 ne planifikojmë të dërgojmë më shumë se 15 persona në misionin në Vjenë, të cilët do të punojnë edhe në rolin tonë brenda treshes së presidencës, por gjithashtu do të përgatiten për marrjen përfundimtare të kryesimit të OSBE-së në 2023.
“Të theksoj se vetëm për presidencën në vitin 2023, janë planifikuar edhe 8 milionë euro shtesë, që do të jenë pjesë e buxhetit për vitin 2023” ka shtuar Osmani.
Rritja e buxhetit përfshin obligimin e ndërmarrë në përputhje me vendimin e Qeverisë me të cilin u miratuan mjetet buxhetore shumëvjeçare në vlerë deri në pesë milionë euro, për realizimin e aktiviteteve të disa pronave diplomatike dhe konsullore. Bëhet fjalë për pronat në: Cyrih, Athinë, Kanberra, Budapest, Brazilia dhe Ankara, pikërisht aty ku është konstatuar se për shkak të nevojës së nevojshme për rikonstruim, rinovim dhe përshtatje të nevojshme, për një kohë të gjatë pronat tona nuk janë përdorur për nevojat e rrjetit diplomatiko- konsullor. Realizimi i këtyre investimeve kapitale do të sigurojë më tej kursime në kostot vjetore që tani ndahen për qira dhe shpenzime të tjera të rregullta./Telegrafi/
The post Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë me buxhet historikisht më të madh appeared first on Telegrafi.