“Monstra” ka zgjuar diskutime ndëretnike në Maqedoni

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Tejkalimi i paragjykimeve mes dy etnive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, shqiptarëve dhe maqedonasve, mbetet sfidë për vendin, pasi ata me vite paraqesin burim të nxitjes së urrejtjes mbi baza etnike që jo rrallëherë kanë eskaluar dhe me përdorimin e dhunës. Sipas të dhënave të Komitetit të Helsinkit, në vitin 2019 dhe 2020 janë regjistruar mbi 200 raste të dhunës së motivuar mbi bazë etnike. Në rrjetet sociale gjatë ndeshjeve të futbollit, shpesh shfaqen përmbajtje fyese si “dobar shiptar, mërtov shiptar” (shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur), si dhe shprehja “kauri” (kaurrë) për maqedonasit.

Gazetari dhe opinionisti Hristijan Stanojeviç vlerëson se burim i stereotipeve është mungesa e njohjes së ndërsjellë. “Arsyeja kryesore për paragjykimet etnike në Maqedoni mbetet mosbesimi midis bashkësive etnike. Politizimi i një operacioni statistikor siç është regjistrimi tregon se partitë vazhdojnë të shfrytëzojnë temat ‘etnike’, veçanërisht në vitet e zgjedhjeve, për ta bërë më të lehtë votimin dhe mbajtjen e një baze mbështetëse. Rasti ‘Monstra’ ka zgjuar shpirtrat e mosbesimit sepse ende nuk mund të arrijmë një konsensus shoqëror se si ta trajtojmë këtë rast. Protestat ishin të kuptueshme duke pasur parasysh bombat e premtuara që supozohej të hidhnin dritë tjetër mbi procesin, por kuptohet që një pjesë e publikut maqedonas u skandalizua për shkak të provokimeve. Procesi i përsëritur nuk solli një rezultat të ri. E vërteta, sado e vështirë të jetë, duhet pranuar. Padyshim, duhet bërë shumë punë për të rritur besimin midis maqedonasve dhe shqiptarëve, për të gjetur një nëse doni ta quani atë “gjuhë të përbashkët”. Këtu në radhë të parë mendoj për nevojën për bashkëpunim të ndërsjellë, shkëmbim idesh dhe informacioni për të cilin ne si gazetarë dhe media në të cilën punojmë kemi mundësinë të bëjmë shumë më tepër”, deklaroi për Zhurnal, Stanojeviç.

Sipas tij, edhe pse vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të qetësimit të tensioneve dhe relaksimit në marrëdhëniet ndëretnike, për fat të keq nuk është bërë sa duhet për të krijuar një hapësirë të përbashkët, për të menduar se çfarë mund të na lidhë, për të na bërë të punojmë së bashku për një shtet më të mirë, një shoqëri më të mirë dhe idealet e përbashkëta për luftën kundër korrupsionit, partizanizmit, nepotizmit, kronizmit etj. “Pavarësisht nga fakti që qytetari i zakonshëm, pavarësisht nga përkatësia e tij etnike, e kupton që nga imponimi i konflikteve përfitojnë vetëm se partitë dhe politikanët më të fuqishëm, mungesa e besimit se ne mund t’i luftojmë këto probleme së bashku lë hapësirë për paragjykime, nacionalizëm dhe madje edhe për urrejtje”, thekson Stanojeviç.

Ndryshe, edhe gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, gjuha e urrejtjes dhe jotolerancës etnike ka shënuar rritje në rrjetet sociale. Të dhënat e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thonë se gjatë vitit 2020, brenda periudhës kohore mars-shtator, janë regjistruar 662 denoncime, prej të cilave 353 denoncime i referohen gjuhës së urrejtjes mbi baza të përkatësisë etnike, që paraqet një rritje prej rreth 280 për qind, krahasuar me vitin 2019. Gjatë të njëjtës periudhë kohore mars – shtator 2019, ishin regjistruar 379 denoncime në lidhje me gjuhën e urrejtjes, prej të cilave 130 denoncime kishin për bazë gjuhën e urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike.

Advertisement

“Monstra” ka zgjuar diskutime ndëretnike në Maqedoni shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy