Në korrik masat e reja anti-krizë në Maqedoni

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Qytetarët, por edhe biznesi janë në pritje të pakos së shtatë së masave qeveritare për të kapërcyer më lehtë krizën ekonomike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe pasojat e pandemisë. Pritet që masat e reja të shpallen në fillim të muajit të ardhshëm pas votimit të rishikimit të buxhetit në Parlament. Nga ekzekutivi thonë se ndihmë do të ketë për kategoritë më të prekshme të qytetarë ve dhe biznesin. Ministri i Financave, Fatmir Besimi thekson se edhe në raportet dhe analizat e institucioneve ndërkombëtare rekomandimet janë të njëjta, apo thuhet që vendet duhet të veprojnë me masa të targetuara ndaj kategorive të caktuara të qytetarëve dhe kompanive, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit fiskal dhe makroekonomik të ekonomisë.

“Me rishikimin e buxhetit vazhdojmë me masat në drejtim të përkrahjes së qytetarëve dhe kompanive. Mjete rezervë janë ndarë për masat e reja anti krizë. Mjete shtesë janë ndarë për përkrahjen e bujqve për rritjen e rendimenteve vendase, me qëllim të amortizimit të efekteve të çmimit të lartë të ushqimeve të importuara. Mjete shtesë janë ndarë për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve dhe për rritjen e pensioneve të pensionistëve. Të gjitha këto janë masa të targetuara, sepse përveç përkrahjes për tejkalimin e krizës, rëndësi ka edhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik. Sepse, vetëm një ekonomi stabile mund të gjenerojë rritje ekonomike të fuqishme dhe të qëndrueshme“, thekson Besimi. Ai shton më tej se edhe rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, shkojnë në drejtim jo të uljes së tatimeve për karburantet dhe ushqimin Përkundrazi, arkëtimi i tatimeve duhet të destinohet në mbrojtjen e familjeve më të ndjeshme. Me uljen e tatimeve për të gjithë, do të thotë se subvencionohen edhe ata që nuk kanë nevojë për përkrahje, në llogari të kategorive të ndjeshme të qytetarëve, shton ai.

Nga sektori i biznesit thonë se atij i nevojiten masa mirë të menduara që do t’i ndihmojnë atij të tejkalojë krizën me çmimet e larta të energjenseve, për shkak se përballja me krizën aktuale shkakton vështirësi të mëdha në punën e përditshme të bizneseve.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se nevojiten masa për zgjidhjen e problemeve të caktuara për ruajtjen e likuiditetit të sektorit privat, së pari duke përcaktuar një model të mbështetjes për konsumin e energjisë elektrike. Më pas duke përshtatur konceptin e prokurimit publik apo të realizimit të tenderë ve. Njëherësh procedurat administrative për lejet e ndërtimit për instalimin e fotovoltaikëve për prodhim vetanak janë shumë të gjata, gjë që e bën të pamundur sigurimin e energjisë elektrike më të lirë në një periudhë të shkurtër kohore. Gjithashtu kërkohet edhe ndërprerja e miratimit të ligjeve në një procedurë të shpejtë që ndërlikon mjedisin e biznesit të kompanive. “Politika fiskale duhet të bazohet në parimin e kujdesit dhe kursimit, për të krijuar më shumë hapësirë ​​për ndërhyrje në anën e ofertës. Oda ekonomike e Maqedonisë kërkon që deri në fund të vitit të mos ndryshohet politika tatimore, të kthehet me kohë TVSH-ja dhe të servisohen me kohë edhe detyrimet e sektorit publik ndaj atij privat”, thotë numri një i Odës Ekonomike, Branko Azeski.

Advertisement

Ndryshe, edhe pse akoma nuk dihet saktësisht se cilat do të jenë masat e reja, pritet që me rishikimin e arkës shtetërore, të vendosen në funksion rreth 76 milionë euro për masa kundër krizës, por edhe subvencione për rritjen e pagës minimale, mjete të konsiderueshme shtesë për subvencione për fermerët – me qëllim rritjen e rendimentit, si dhe mjete për rritjen e pensioneve dhe rritjen e transfertave për të ardhura minimale të garantuara, thonë nga Ministria e Financave. Masat e reja synojnë mbrojtjen e kategorive më të prekshme apo cenueshme të popullatës, shpërndarjen e drejtë të mjeteve dhe konsolidimin gradual fiskal, i cili ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e stabilitetit të borxhit publik dhe stabilitetit të ekonomisë vendore në përgjithësi.

Në planin afatmesëm planifikohet ngushtimi i deficitit buxhetor duke përmirësuar mbledhjen e të ardhurave buxhetore apo grumbullimin e tatimeve, masa për uljen e ekonomisë gri apo informale si dhe parandalimin e saj. Parashikohet edhe reduktimi dhe ristrukturimi i shpenzimeve buxhetore, reduktimi i shpenzimeve jo prioritare dhe jo thelbësore, mbështetje më e madhe për sektorin privat dhe inovacionin me qëllim të forcimit të konkurrencës, komponenti social për mbështetjen e kategorive më të cenueshme dhe rishikimi i metodologjive të transfertave dhe subvencioneve, ndryshimet në burimet e financimit të gropës buxhetore, shpërndarja më e madhe e burimeve të financimit të deficitit, financimi dhe realizimi i projekteve të caktuara nëpërmjet partneritetit publik-privat dhe krijimi i një Fondi Zhvillimor. (koha.mk)

Në korrik masat e reja anti-krizë në Maqedoni shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy