Osmani: Në MPJ duhen të paktën 50 punësime të reja

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se nevojiten së paku 50 punësime të reja për plotësimin e nevojave në ministrinë përkatëse.

Osmani informoi se vetëm këtë vit në Ministrinë e Punëve të Jashtme po pensionohen 18 persona dhe shtoi se duhet të punësohen persona të rinj.

Në pyetjen e një gazetari për punësimin e Besmira Ejupit në MPJ, Osmani theksoi se gjatë këtij viti, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive ka punësuar gjithsej 13 bashkëpunëtorë, përfshirë edhe Ejupin. Disa prej tyre, siç tha ai, janë në kuadër të atij sistematizimi nga Programi K-5, disa përmes marrëveshjes direkte.

“Informacioni është pjesërisht i saktë, është marrë nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në pozicionin e bashkëpunëtorit protokollar, që është një pozicion fillestar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Aktualisht kemi shpallje për 16 bashkëpunëtorë të rinj, i cili është në vazhdim e sipër”, tha Osmani dhe shtoi se të gjithë ata që duan të punojnë në diplomaci në pozita fillestare kanë mundësi të aplikojnë.

Advertisement

Osmani theksoi se është i pasaktë informacioni se Ejupi është këshilltare, sepse duhen 10 deri në 15 vite në ministrinë përkatëse, me shumë provime të dhëna dhe përvojë pune, për të kaluar nga bashkëpunëtor i ri në këshilltar. Osmani nuk sheh asgjë të diskutueshme në këtë proces.

Në pyetjen e një gazetari se a do të referojë për Ejupin para Komisionit kuvendor për punë të jashtme dhe se këtë e ka kërkuar kryetari i këtij komisioni Antonio Milloshoski, Osmani ka thënë se në këtë punësim nuk ka asgjë të diskutueshme dhe se është bërë plotësisht në procedurë ligjore, siç janë transferuar edhe të gjithë të tjerët, gjithsej 16 këtë vit në MPJ. Ai theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme është e hapur për të gjithë qytetarët e vendit dhe mund të aplikojnë për vende pune, në disa pozita me arsim të mesëm, e në të tjera me arsim të lartë.

Osmani: Në MPJ duhen të paktën 50 punësime të reja shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy