Të privuar nga e drejta, luftojmë për të drejtat e të tjerëve. Me këtë moto punonjësit e Avokatit të Popullit prej sot nisën protestën për paga më të larta. Ata thonë se angazhimet në bazë ditore janë të mëdha, punohet edhe me të dhëna të klasifikuara, me të dhënat personale të qytetarëve, veçanërisht të grupeve më të rrezikuara, ndërsa nuk janë të vlerësuar aspak.
“Të drejtat e punonjësve në institucionin e Avokatit të Popullit nuk janë të barabarta me të drejtat e punonjësve në institucionet në sektorin publik. Edhe pse çdo ditë marrim ankesa prej tyre dhe përpiqemi t’i ndihmojmë të ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore dhe kushtetuese, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për punonjësit e institucionit tonë. Si kudo në botë, institucioni i Avokatit të Popullit duhet të jetë i pavarur, plotësisht i ndarë nga institucionet ndaj të cilave ndërmerr veprime për të mbrojtur qytetarët, gjë që nuk është kështu”, tha Marjan Ponjaviq, Sindikata e Avokati i Popullit.
Kryetari i SPOGJ-it, Tërpe Deanovski tha se zyrtarët në institucionin Avokati i Popullit duhet të jenë në nivel me gjyqtarët në gjykatat themelore.
“Ata kryejnë detyra pune në emër të qytetarëve dhe punonjësve të sektorit publik, mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre. Zgjidhjet dhe vendimet e tyre përdoren në procedura gjyqësore. Prandaj, nuk është logjike që të gjithë punonjësit që qëndrojnë mbrapa nesh të jenë të lidhur me Ligjin për zyrtarët administrative. Puna e tyre nuk është administrative dhe nuk mund të përfshihen në këtë ligj”, tha Tërpe Deanovski, kryetar i SPOGJ-it.
Protesta e punonjësve të Avokatit të Popullit është paraparë të zgjas 5 ditë, përkatësisht deri më 27 nëntor. Në rast se protesta nuk sjell asnjë rezultat, nga Avokati i Popullit paralajmërojnë masa më radikale për të përmirësuar statusin e tyre. /Alsat/
The post Protestë e të punësuarve te Avokati i Popullit, Ponjaviç: Paguhemi pak për punën që e bëjmë appeared first on Telegrafi.