
Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (RDM) kundërshton fuqimisht praktikën gjithnjë e më të rrezikshme të shumicës në pushtet, por edhe të opozitës (partive të koalicionit nga qeveria e mëparshme), e cila nga njëra anë ndan miliona euro për organizatat joqeveritare, dhe nga ana tjetër bllokon mekanizmat demokratikë që do t’u mundësonin qytetarëve të kenë pjesëmarrje të vërtetë politike.
“Me miratimin e ribalancimit të Buxhetit të vitit 2025, transfertat për sektorin joqeveritar u rritën nga 26.7 në 34.4 milionë euro, dhe në të njëjtën kohë nuk ka vullnet politik për të ndryshuar Kodin Zgjedhor që do të lejonte pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale”, thuhet në deklaratën e RDM-së.
“Mbështetja për organizatat e shoqërisë civile është e rëndësishme dhe e nevojshme, por ajo merr hijen e instrumentalizimit partiak kur përdoret si mbulesë për të fshehur demokracinë pjesëmarrëse. Në të njëjtën kohë që fondet për sektorin joqeveritar po rriten, qytetarëve u bllokohet sistematikisht pjesëmarrja si subjekte politike të pavarura. Për më tepër: cilat janë mekanizmat për monitorimin e keqpërdorimit të mundshëm të këtyre fondeve të rritura me 30% tre (3) javë para shpalljes së zgjedhjeve lokale? A dihet tashmë se cilat OJQ (të preferuarat e dikujt) do t’i marrin këto fonde?
Ne jemi kundër kësaj praktike, ku miliona shpërndahen me njërën dorë, dhe me tjetrën, qytetarët fshihen nga harta e pjesëmarrjes politike”, thonë nga RDM./Telegrafi/
The post RDM: Të fillojë menjëherë procedura për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të siguruar pjesëmarrjen e listave të pavarura në zgjedhjet lokale appeared first on Telegrafi.