Rritje prej së paku 8 për qind e pensioneve në Maqedoninë e Veriut

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pensionistët në Maqedoni do të marrin pensionet e muajit shtator në fund të muajit me një rritje prej së paku 8 për qind. Shuma e saktë e rritjes do të qartësohet pas analizës së të dhënave të fundit statistikore lidhur me pagën mesatare neto në vend dhe koston e jetesës, apo inflacionin. Sipas këtyre dy treguesve, pensionet do të harmonizohen dy herë në vit, në mars dhe në shtator. Periudha e harmonizimit të ri fillon me pensionet e muajit shtator, ku do të merret parasysh gjysma e rritjes së pagave dhe rritja e kostos së jetesës. Kohë më parë, Qeveria dhe pensionistët ranë dakord që pensionet të përshtaten me lëvizjen e indeksit të kostos së jetesës në masën 50 për qind dhe rritjen e pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në masën 50 për qind. Kryetari i Partisë së Pensionistëve, Ilija Nikolovski thotë se rritje prej 2.9 për qind në muajin janar, dhe rritja dyfish më e madhe se kjo – me pensionet e muajit shtator, është e kënaqshme për pensionistët. Mirëpo, shton se në këtë kohë krize, pas ndarjes nga 1000 denarë për të gjithë pensionistët, të ndahen ndihmë vetëm për pranuesit e pensioneve më të ulëta.

Në ndërkohë, nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, thonë se rritja e pensioneve do të jetë prej 8 deri në 10 për qind.

Nga Lidhja e shoqatave të pensionistëve thonë se deri më tani, në periudhën 2019 – 2021, kostoja e jetesës është rritur më ngadalë se rritja e pagave, ndërsa për shkak se pensionet janë harmonizuar me rritjen e kostos së jetesës, pensionet kanë mbetur prapa rritjes së pagave. Harmonizimi i parë i madh u bë nga 1 janari 2022, me 2.9 për qind, pasi kostoja e jetesës u rrit ndjeshëm nga korrikut deri në muajin dhjetorit 2021. Tani me ndryshimin e dispozitave ligjore në pjesën e harmonizimit të pensioneve parashikohet që të kemi rritje të pensioneve në bazë të rritjes së kostos së jetesës dhe në bazë të rritjes së pagave dhe kështu pritet që të ketë një rritje më e lartë e pensioneve, që do të mundësojë edhe një standard më të mirë jetese për pensionistët, vlerësojnë nga Lidhja e shoqatave të pensionistëve. Ndryshe , të dhënat e Fondit Pensional tregojnë se në muajin korrik janë paguar 330.884 pensione. Prej tyre çdo i katërti, apo mbi 80 mijë pensionistë marrin pensione më të ulëta.

Të dhënat tregojnë se gati një e treta apo afër 90 mijë pensionistë kanë pensione më të vogla se 200 euro apo 11.500 denarë, ndërsa 20 për qind apo afër 66 mijë pensionistë kanë pensione prej 11.500 deri 14 mijë denarë. Kjo do të thotë se gati gjysma prej 326 mijë pensionistë marrin pensione më të ulë ta se 14 mijë denarë . Njëherësh të dhënat tregojnë se një e treta apo afër 101 mijë pensionistë marrin pensione prej mbi 18 mijë denarë, ndërsa 69 mijë pensionistë apo 20 për qind marrin ndërmjet 14.000 dhe 18 mijë denarë .

Advertisement

Në ndërkohë Instituti ekonomik Finance Think vlerëson se kjo përshtatje është korrekte , përkundër deklaratave paraprake për rritjet më të mëdha historike, dhe atë për dy arsye. Nën një kjo rritje e paralajmëruar nuk prish rrugën e stabilizimit të Fondit Pensional që filloi pas vitit 2019, dhe nën dy ajo siguron një ruajtje të kënaqshme të standardit të jetesës së pensionistëve. Megjithatë, Finance Think thekson se Formula e harmonizimit 50:50 që propozohet tani është e njëjta formulë që ekzistonte në Ligjin referencë deri në vitin 2018, prandaj ajo nuk është një risi në sistemin e financimit të pensioneve. Me ndryshimet në ligjin referues në dhjetor 2019, u vendos një dispozitë sipas së cilës në rast të rritjes së pagës minimale më të madhe se 15 për qind dhe pagës mesatare më të madhe se 5 për qind , mund të realizohet harmonizimi shtesë i pensioneve në një përqindje jo më të lartë se rritja mesatare e pagës. Duke marrë parasysh se rritja e pagës mesatare në vitet e kaluara e tejkalonte shifrën prej 5 për qind ky qëndrim mundësoi harmonizim adekuat të pensioneve edhe me rritjen e pagës mesatare. Andaj , ndryshimi i propozuar është vetëm një riformulim i zgjidhjes së financimit të pensioneve që është aktualisht në fuqi.

Njëherësh shuma tremujore prej 3000 denarë në total është lineare për të gjithë pensionistët, pa marrë parasysh lartësinë e pensionit. Përkundër asaj se rritja e dedikuar është e justifikueshme, për të zbutur pasojat negative të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve, megjithatë ajo është ende një rritje ad-hok dhe çdo rritje e tillë e dedikuar r në të ardhmen duhet të racionalizohet vetëm për përfituesit e pensioneve më të ulëta.(koha.mk)

Rritje prej së paku 8 për qind e pensioneve në Maqedoninë e Veriut shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy