Samiti i OSBE-së në Shkup, Bullgaria e gatshme të lejojë fluturimin e Lavrovit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Samiti i OSBE-së në Shkup, Bullgaria e gatshme të lejojë fluturimin e Lavrovit

Ka gjithnjë e më shumë gjasa që Malta të jetë kryesuesja e ardhshme e OSBE-së, pra nga 1 janari 2024. Shefi i diplomacisë së RMV-së, Bujar Osmani, informoi se sot në Vjenë u morën vendime të rëndësishme, të cilat hapën rrugën për arritjen e konsensusit për kryetar të ri të OSBE-së pas përfundimit të mandatit njëvjeçar të Maqedonisë në fund të vitit. Më parë, pengesë për kandidaturën e Estonisë ishte vetoja ruse.

Osmani ka njoftuar në rrjetet sociale se vendimi për kryesimin e Maltës do të merret zyrtarisht në mbledhjen e ardhshme të OSBE-së në Shkup këtë javë.

“E dini që Estonia është një kandidate zyrtare. Dihet gjithashtu se ka vende që janë kundër kandidaturës. Kandidatura e Maltës u propozua për kryesimin e OSBE-së si alternativë. Mendoj se jemi të përgatitur mirë për këtë”, thotë Robert Abella – kryeministër i Maltës.

Në ndërkohë, Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të lejojnë fluturimin e avionit shtetëror rus dhe zbarkimin e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Shkup. Sipas Brukselit, kjo nuk do të përbënte shkelje të sanksioneve të BE-së, pasi është një ngjarje e rëndësishme me karakter shumëpalësh. Nga ana tjetër, Lavrov konfirmoi se është e mundur të fluturojë në Shkup mbi Bullgarinë.

Advertisement

Lexo po ashtu
Lavrov: Do të vij në Shkup për takimin e OSBE-së, nëse Bullgaria hap hapësirën ajrore

Advertisement

“Do të ishte e drejtë që vendet të japin leje që aeroplani i Federatës Ruse të fluturojë mbi territorin e tyre dhe autoritetet në Maqedoninë e Veriut të lejojnë Lavrov të ulet dhe të marrë pjesë drejtpërdrejt në Maqedoni. Kjo nuk do të përbënte shkelje të sanksioneve”, tha Peter Stano – zëdhënës i KE-së.

“Maqedonia na ftoi të marrim pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të OSBE-së. Bullgaria thuhet se i ka premtuar Maqedonisë të hapë hapësirën e saj ajrore. Nëse e bën, ne do të jemi atje”, tha Lavrov.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se është mirë që Lavrov do të ketë mundësinë të dëgjojë drejtpërdrejt pikëpamjet evropiane për, siç tha ai, sjelljet destruktive të Rusisë, njofton Alsat.

“Është gjithmonë mirë të marrësh pjesë për t’u përballur me Lavrovin ballë për ballë për aktivitetet e paligjshme të regjimit të Kremlinit dhe gënjeshtrat që përhap. Çdo forum ndërkombëtar ku mund të flasim ballë për ballë, të shprehim pikëpamjet tona dhe t’i ballafaqojmë me sjelljet e tyre të paligjshme, gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre është sigurisht i mirë, sepse është pjesë e qasjes sonë ndaj konfliktit që Rusia ka shkaktuar në Ukrainë”, shtoi Stano.

Advertisement

Stano bëri të ditur se është e mundur që në takimin në Shkup të marrë pjesë edhe nënkryetari i Komisionit, Josep Borrel. Takimi fillon me darkë joformale të mërkurën në mbrëmje, ndërsa pjesa zyrtare është të enjten dhe të premten.

Samiti i OSBE-së në Shkup, Bullgaria e gatshme të lejojë fluturimin e Lavrovit shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy