Shahpaska – Luçiq: Arsimi për romët është parakusht për integrimin e plotë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në kuadër të takimit të dytë ministror për integrimin e romëve në Ballkanin Perëndimore, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska kishte takim dypalësh me Ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Refugjatëve të Bosnjë e Hercegovinës Milosh Luçiq.

Të dy ministrat shkëmbyen përvoja në pjesën e procesit të integrimit të romëve, por gjithashtu diskutuan çështje të tjera brenda kompetencës së tyre, siç janë barazia gjinore, por edhe lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Shahpaska, siç kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e theksoi përparimin që Republika e Maqedonisë së Veriut e ka bërë në procesin e integrimit të romëve, por edhe informoi për mbështetjen që u jep të gjitha kategorive të cenueshme të qytetarëve përmes sistemit të mbrojtjes sociale.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka investuar shumë në procesin e përfshirjes së romëve në arsim, nga parashkollori deri te arsimi i lartë. Çdo vit 400 fëmijë romë ndjekin kopshtin falas, sigurojmë 700 bursa për nxënës dhe studentë. Dhe kjo jep rezultate. Kjo është arsyeja pse sot kemi gjithnjë e më shumë romë që janë në pozita menaxheriale si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, theksoi Shahpaska.

Advertisement

Ajo shtoi se po punohet intensivisht edhe në strehimin social, i cili parashikon ndërtimin e apartamenteve, por gjithashtu rinovimin dhe rindërtimin e objekteve ekzistuese.

Ministri Luçiq u pajtua se arsimi është një parakusht për integrimin e plotë të romëve dhe tha se në të duhet të punohet intensivisht.

Ai theksoi se Bosnja e Hercegovina ka bërë përparim të rëndësishëm në fushën e strehimit social për romët, por që duhet të punohet edhe në politikat për punësim të romëve.

Të dy ministrat diskutuan për sfidat me të cilat u përballen dy vendet shkaktuar nga pandemia Kovid-19 dhe i ndanë përvojat se si të sigurohet mbështetje për kategoritë më të prekshme të qytetarëve.

Advertisement

Në pjesën e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, Ministri Luçiq theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është një shembull pozitiv që e ndjek Bosnje e Hercegovina.

Ministrja Shahpaska theksoi se dy ligjet kryesore – Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje – u miratuan me mbështetjen e opozitës, që është shumë e rëndësishme për zbatimin e tyre të plotë.

Shahpaska – Luçiq: Arsimi për romët është parakusht për integrimin e plotë shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy