Shtatori nxënësit e Maqedonisë i pret me ndryshime të mëdha

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Byroja e Zhvillimit të Arsimit (BZHA) është duke përgatitur një udhëzues për lëndët zgjedhore të destinuara për shkollat fillore. Udhëzuesi, siç merr vesh gazeta KOHA, synohet të sigurojë shembuj se si të zhvillohet një orë mësimore me lëndët zgjedhore. Deri më tani, lënda zgjedhore për nxënësit e shkollës fillore ka qenë vetëm formale, ndërsa tani sipas Konceptit të ri për arsim fillor, do të jetë në bazë të zgjedhjes dhe dëshirës së nxënëseve që zgjedhjet e nxënëseve të respektohen nga shkolla dhe t’ju ofrohen orët zgjedhore që janë në interes të nxënëseve. Secila shkollë duhet të ofrojë dy lista të lëndëve zgjedhore. Njëra prej tyre duhet të jetë për gjuhën e dytë të huaj, ku përfshihet edhe gjuha shqipe, dhe lista tjetër me lëndë tjera që janë në interes të nxënëseve dhe mundësisë së shkollës. Këto dy lista, sipas njoftimeve, duhet të kenë të përfshira të paktën 12 lëndë zgjedhore.

Sipas këtij udhëzuesi, nga viti shkollor 2021/22, lëndët zgjedhore do të jenë të qasshme vetëm për nxënësit e klasës së katërt, ndërsa për nxënësit e klasës së parë – do të përpilohen disa aktivitete zgjedhore ku më pas – nxënësit mund t’i zgjedhin. Byroja informon se qëllimi përfundimtar është që secila shkollë të krijojë programe mësimore për lëndët zgjedhore në varësi të interesit të nxënësve. Në BZHA thonë se në udhëzuesin të cilin janë duke e përgatitur, do të japin shembuj se si duhet të duket një lëndë zgjedhore. “Si fillim, ne do të përgatisim shembuj të programeve për lëndët zgjedhore dhe bazuar në to, secila shkollë do të zhvillojë kurrikulën për lëndët me zgjedhje që do të organizohen në shkollë, ndërsa ne vetëm do t’i miratojmë ato. Për shembull, diku nxënësit mund të jenë të interesuar për të mësuar programimin, diku tjetër mund të jenë të interesuar për punëtori multikulturore ose një lëndë të arteve pamore. Pra, nxënësit duhet të anketohen dhe në bazë të kësaj, shkolla do të zhvillojë programe dhe do të caktojë mësues që do t’ju përshtaten atyre lëndëve”, thonë nga BZHA.

Nga atje shtojnë, se komunat mund të punësojnë një mësues apo ekspert të përshtatshëm, i cili mund të ketë edhe një arsim joformal për fushën e caktuar dhe kështu – ai mund lirishtë të organizoj orën mësimore për lëndën zgjedhore. Sipas tyre, lëndët zgjedhore do të jenë vetëm për një gjysmëvjetor dhe çdo cikël të gjysmëvjetorit – nxënësit duhet të zgjedhin lëndë tjera, duke përjashtuar situatat kur bëhet fjalë për t’i zgjeruar njohuritë rreth asaj lënde, por njohurit që fitohen duhet të jenë më të ndryshme. Nga ana tjetër, sipas rregullave të reja, nga shtatori i këtij viti – ajo që do të ndryshojë, siç shpjegohet nga BZHA, është mënyra e të mësuarit dhe integrimi i nxënëseve do të stimulohet. Ndërkohë nxënësit e klasave të para do të qëndrojnë për pesë orë në shkollë, që deri më tani ata kanë qëndruar mesatarisht rreth 3.5 orë. Ky ndryshim, siç thonë në BZHA, është bërë me qëllim që nxënësit të kenë më shumë kohë në shkollë dhe të kryejnë të gjitha përgjegjësitë ndërsa janë brenda në klasë./koha.mk/

Advertisement

Shtatori nxënësit e Maqedonisë i pret me ndryshime të mëdha shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy