Vijojnë reagimet për deklaratën e Marta Kos, Mucunski: E trishtë që në shekullin kontestohet identiteti

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Deklarata e djeshme e komisioneres për zgjerim të BE-së, Marta Kos, në të cilën ajo tha se identiteti lidhet me traditën përmes manastireve si dhe ushqimeve tradicionale, ka shkaktuar një valë reagimesh, në disa raste të vlerësuara edhe si fyese. Kjo vjen para paralajmërimeve të eurodeputetëve bullgarë se në seancën e ardhshme të Parlamentit Europian do të dorëzojnë amendamente për identitetin dhe gjuhën maqedonase me shtesën “moderne”.

Pas reagimit të djeshëm të kryeministrit Mickoski, sot reagoi edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili tha se është për të ardhur keq që në shekullin 21 ende vihet në dyshim identiteti.

“Identiteti është, po, sidomos në këtë rajon, një kategori e ndërlikuar. Dhe, për fat të keq, edhe në shekullin 21, ende është një kategori që disa shtete që quhen europiane përpiqen ta kontestojnë. Por për ne nuk ka dilemë se figurat historike si Dellçev, Gruev, Sandanski janë pjesë e identitetit tonë, po ashtu edhe manastiret e mrekullueshme, xhamitë e bukura që ndodhen në territorin e shtetit tonë. Identiteti ynë është edhe bashkëjetesa që ka shumë rëndësi për ne, por padyshim, faktori kyç i identitetit kombëtar maqedonas është gjuha jonë”, tha Timço Mucunski – ministër i Punëve të Jashtme.

Reaguan edhe nga LSDM, duke thënë se kishin pritur që komisionerja Kos të theksonte atë që vetë BE-ja e ka konfirmuar – që identiteti dhe gjuha maqedonase janë të njohura plotësisht nga Unioni. Edhe pse mendojnë se nuk kishte qëllim të keq, megjithatë i bënë thirrje të jetë më e kujdesshme me temat e ndjeshme.

Advertisement

Nga BDI, nga ana tjetër, reaguan duke thënë se Qeveria me këto deklarata po i largon miqtë e sinqertë dhe po e largon shtetin nga rruga europiane.

“Nuk duhej të lejohej që deklarata e Komisioneres se “identiteti nuk është çështje e kushteve politike, por thelb i dinjitetit njerëzor dhe shprehje e veçantisë së tij”, të kthehej në objekt fushate urrejtjeje dhe përqeshjeje. Aq më pak të nxitej një reagim i tillë nga burime afër pushtetit. Prandaj është tronditëse që Ministri për Integrime Evropiane Orhan Murtezani nuk e pa të arsyeshme të mbrojë publikisht këtë qëndrim, as t’i japë kuptim vlerave që vetë institucionin e tij e bëjnë të nevojshëm”, theksojnë nga BDI.

Për deklaratën e komisioneres Kos në samitin e djeshëm të liderëve kushtuar Planit për Rritje për Ballkanin Perëndimor, kryeministri Mickoski tha se nuk pajtohet që identiteti të reduktohet vetëm në ushqimin tonë të mirë, por theksoi se në të janë të ngulitur shumë heronj si Goce Dellçev, Shapkarev, vëllezërit Milladinov, Dame Gruev, Jane Sandanski dhe të tjerë.

 

Advertisement

 

The post Vijojnë reagimet për deklaratën e Marta Kos, Mucunski: E trishtë që në shekullin kontestohet identiteti appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy