Ura e Brarit, qendra ku dhe si u themelua fshati Ferraj

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ura e Brarit, qendra ku dhe si u themelua fshati Ferraj

Është një urë, emri i së cilës lidhet me fshatin Brar, por historiku dhe pozicioni i saj e bëjnë urën e Brarit një pikë të rëndësishme për disa fshatra, ndërkohë që ura është edhe një monument kulture i rëndësisë së veçantë.

E pozicionuar pranë fshatit me të njëjtin emër, në lindje të Tiranës, 7.6 km nga qendra e Tiranës, ura e Brarit është gjurma e parë e rrugës në fillim të Malësisë së Tiranës në hyrje të Shkallës së Tujanit, ku ndodhet Kalaja e Tujanit (antikiteti i vonë).

Emri tregon se kjo urë e vjetër 400-500- vjeçare, është ndërtuar kur vetë vendbanimi Brar ishte i zhvilluar si qendër e vjetër religjioze dhe pelegrinazhi në atë zonë, aty ishte vendi i pritjes dhe i pushimit të karvaneve që kalonin, duke u bërë më vonë vendthemelimi i fshatit, që mori emrin Ferraj.

Por çfarë mund të mësoni për këtë fshat dhe cila është origjina e emrit të tij?

Advertisement

Pika kufitare midis fshatrave Ferraj, Shtish-Tufinë dhe komunës Zall-Herr ndodhet në rrugën “Myslym Keta” për në Tufinë.  Më tutje, rruga që është si vijë kufitare me fshatin Shtish-Tufinë, nga e majta ka poshtë lumin, kurse nga e djathta, një sërë repartesh ushtarake.

Rrugëtimi për në Ferraj është interesant dhe gjatë tij mund të njihni më tepër për këtë zonë të Tiranës.

“Mbas rreth 800 metrash, arrin dy urat prej betoni, atë të përroit të Tufinës dhe atë të lumit të Tiranës, duke vazhduar më lart, nga e djathta poshtë kanë qenë repartet e gjata të ish-uzinës mekanike të artilërisë, ku shtrihet rruga kombëtare e Arbrit, kurse nga e majta, një kthesë malore të çon në qendër të fshatit Ferraj.

Sipas një gojëdhëne, emri i fshatit vjen nga mënyra se si fshatarët e mbronin pasurinë dhe veten nga të padëshiruarit para dy-treqind vjetësh. Një grumbull i madh ferrash të thata i lidhur fort, vendosej në mes të urës së vjetër të Brarit, që të pengonte natën kalimin e keqbërësve nga bregu në breg. Ky grumbull ferrash nuk hiqej dot nga vendi pa ndihmën e atyre që e kishin vendosur, kurse, nëse i vihej zjarri, kërcitja, tymi dhe ndriçimi i saj do të zgjonte të fjeturit.”,- vëren në një nga librat e tij për Fshatrat turistikë të Tiranës, studiuesi Skëndër Farka.

Advertisement

Kështu, ky grumbull ferrash do të ishte “Trau i doganës” mbi urën lidhëse lindje-perëndim, midis malësisë së thellë, drejt ultësirës së Tiranës dhe Durrësit, si e vetmja rrugë kalimi për njerëzit dhe kafshët e ngarkuara.

“Dihet mirë se në këtë zonë lumi është i pakalueshëm si verës, ashtu edhe gjatë dimrit. Në grykën shkëmbore të hapur nga lumi gjatë shekujve, në dy shpatullat e tij më të larta, të larta dhe të forta, është ndërtuar ura mesjetare e gurtë e tipit venecian, që mban emrin Ura e Brarit.”, vijon më tej Farka.

Ura shërben në fakt si pikë kufitare midis Brarit dhe Ferrajt. Prej kohësh, ajo është shpallur monument kulture për vjetërsinë dhe harkun e saj elegant, vendin ku është ngritur dhe shkëmbinjtë ku është mbështetur.

Ajo është ndërtuar vetëm nga një hark, në kyçin e të cilit kalldrëmi i urës ngrihet në formë kurrizi me pjerrësi nga të dyja anët.

Advertisement

Ura ka kaluar disa faza ndërtimi dhe ka lidhur fshatin Brar me Tiranën dhe me rrugën e karvaneve Tiranë- Dibër, e cila kalonte nëpër fshatin Tujan.

“Në vitet 1600-1800 ka qenë një urë e drunjtë, mbeshtetur mbi këmbët shkëmbore, kurse harku i plotë gjysmërrethor, ka nje rreze 4,2 metra, mbi gurët përreth edhe sot dallohen qartë guacka të mëdha të ngurtësuara të detit të dikurshëm.”, – shpjegon më tej Farka.

Ura është e gjatë 21 metra dhe e gjerë 1.7 metra, lartësia nga sipërfaqja e ujit është 22 metra në verë. Është e ndërtuar me gurë të punuar me kujdes, të vendosur pa hapësirë të dukshme të lirë për llaçin e hollë të gëlqeres midis tyre.

Farka ngre shqetësimin për dëmtin e urës, ndërkohë që ky monument kulture ka nevojë për më tepër vëmendje.

Advertisement

“Ana perëndimore e urës është dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet nga kalimi i dhenve dhe i barinjve mbi të, kur kullosin bagëtinë andej rrotull, duke hequr gurët, çka e shkurton atë vazhdimisht në gjatësi.”,- vëren ai. Blerina Goce

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy