Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një aktivitet me temën: Forumi “Përballja me të kaluarën/ Multiperspektiva në histori”, në kuadër të 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se PD do të kërkojë hapjen e dosjeve për të zbuluar spiunët e KGB-së sovjetike dhe UBD-së jugosllave.
Basha gjithashtu u bëri thirrje institucioneve, përfshirë këtu edhe Autoritetit të Dosjeve, që të hapen këto dosje, pasi sipas tij është jetike jo vetëm për transparencën, por edhe për sigurinë kombëtare.
“Në periudhën që po përjetojmë, të ringjalljes së rivaliteteve të vjetra gjeostrategjike, të rin së aspiratave sunduese të Rusisë dhe aleatëve të vetë të fshehur në Ballkan, tani kanë filluar dalin hapur, siç është Serbia, është jetike që Autoriteti i Dosjeve në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe të zbulimit, të ekspozojnë agjenturën e KGB-së dhe UBD. Ekspozimi i agjenturës jugosllave dhe sovjetike, nuk është një hap që duhet të ndërmerret në funksion të transparencës, por edhe në funksion të sigurisë kombëtare”, tha Basha.
Kreu i PD shtoi më tej se do të dorëzojnë kërkesën për ekspozimin e emrave që kanë qenë pjesë e agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri.
“PD do hedhë hapin konkret të institucionalizimit të kërkesës që këto dy rrjete të dy shërbimeve ndaj më armiqësore të mos gëzojnë më mbrojtjen e pakuptimtë që jepet duke i mbajtur të fshehta emrat dhe të dhënat e këtyre dy organizatave që s’kanë patur asnjë qëllim tjetër përveç sabotimit dhe eliminimit të interesave kombëtare shqiptare. Thirrja ime në emër të PD, shumë shpejt edhe kërkesa do jetë ekspozimi i plotë i agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri”, tha Basha.