Administrata Biden ka nevojë për një të dërguar të posaçëm për Ballkanin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Administrata Biden ka nevojë për një të dërguar të posaçëm për Ballkanin

Nga Akri Çipa

Presidenti Biden dhe administrata e tij kanë një sërë sfidash ndërkombëtare për të adresuar. Ballkani nuk pritet të jetë prioritet i lartë në këtë listë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë të gjitha mundësitë për të sjellë ndryshim pozitiv në rajon.

Në vitet 90’-të, Shtetet e Bashkuara luajtën një rol vendimtar në gadishull dhe drejtuan ndërhyrjen e suksesshme kundër gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve të tjerë perëndimorë, Kosova deklaroi pavarësinë në vitin 2008. Për fat të keq, mbështetur nga Rusia dhe Kina, Serbia refuzon ta njohë sovranitetin e Kosovës. Ndërmjetësimi i Bashkimit Europian për një proces dialogu synonte të ulte palët në tavolinë dhe të mundësonte gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të qëndrueshme, por ka dështuar në arritjen e rezultateve.

Ndërkohë, fuqi të jashtme malinje kanë shfrytëzuar konfliktin për të ndërhyrë në zhvillimet e rajonit dhe për ta mbajtur atë peng në proceset integruese në strukturat perëndimore. Ndërsa Rusia vazhdon të jetë një forcë destabilizuese, Kina po bën përparime të shumta ekonomike, tregtare dhe diplomatike në rajon. Konfliktet e vazhdueshme krijojnë mundësi për influenca të tilla që kërcënojnë balancat e rajonit. Nga ana tjetër, këto kërcënime thellohen nga korrupsioni endemik, keq-qeverisja, dhe mundësitë e munguara ekonomike që mbizotërojnë në të gjithë rajonin. Lidershipi i fortë amerikan është i nevojshëm për të frenuar këto forca.

Advertisement

Ky fakt u kuptua nga administrata Trump. Caktimi i Zëvëndës Ndihmës Sekretarit Matthew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Sekretari i Shtetit Pompeo dhe emërimi presidencial i Ambasadorit Richard Grenell si i Dërguar i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi ishin sinjale të rëndësishme për angazhim. Megjithatë, përtej analizës së mirë për nevojën limfatike për kontributin e Shteteve të Bashkuara, administrata Trump nuk mundi ta përmbyllte dot konfliktin.

Në vend që të tërhiqet tani, administra e Presidentit Biden duhet t’i shtojë përpjekjet. Me mbajtjen e Ballkanit në fokus, si dhe duke korrigjuar gabimet e dukshme të iniciativës së fundit, qeveria e re mund të sjellë progresin e domosdoshëm. Për ta arritur këtë, administrata Biden duhet ta ruajë pozicionin e të Dërguarit të Posaçëm dhe të caktojë dikë që ka njohuri të thella për rajonin dhe dinamikat e tij.

Kongresmeni Eliot Engel do të ishte zgjedhja e duhur për këtë punë. Ligjvënësi hebre nga Bronksi humbi primaren kundra kundërshtarit të tij demokrat në qershorin e shkuar, megjithatë ai ka shprehur interes për të dhënë një kontribut në administratën Biden. Me eksperiencën e gjerë në politikën e jashtme si anëtar dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Kongresmeni me 16 mandate i kupton si pakkush tjetër interesat amerikane në Ballkan dhe si t’i avancojë ato. Ai ka qënë një zë autoritar në shumicën e zhvillimeve në Ballkan, duke filluar që nga fillimi i viteve 90’. Nën drejtimin e tij, Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve i kushtoi një vëmendje të konsiderueshme rajonit. Në fakt, një nga seancat e fundit dëgjimore të drejtuar nga Kryetari Engel iu kushtua rekomandimeve për politikat e administratës së re në gadishull.

Me shumë rëndësi, Kongresmeni Engel e ka të qartë rëndësinë e lidershipit amerikan. Sikurse u shpreh ai vetë në seancën dëgjimore të 8 dhjetorit, “ndërhyrjet amerikane në luftërat në Ballkan në vitet 90’ ishin maja e fuqisë dhe influencës së pas-Luftës së Ftohtë. Ato përfaqësonin dhe mënyrën se si mund të përdorej ky lidership për të pasur rezultat.”

Advertisement

Kongresmeni Engel është një mbështetës i fortë i marrëdhënieve transatlantike dhe ka mbështetur gjithmonë bashkëpunimin SHBA-BE. Kjo cilësi është thelbësore në një kohë ku shumëkush bie dakord se koordinimi i perëndimit është i nevojshëm për të përmbyllur me sukses dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Blloku europian është partneri më i madh ekonomik dhe tregtar për të dy vendet dhe integrimi në të, në të ardhmen e afërt, mbetet objektiv për të dyja vendet.

Së fundmi, një rol i Kongresmenit Engel në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të shërbente për të balancuar pozicionin e anshëm të Bashkimit Europian. Si kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, edhe Përfaqësuesi i Posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, vijnë prej dy vendeve (respektivisht, Spanja dhe Sllovakia) të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht skepticizmit të pritshëm serb, angazhimi i Kongresmenit Engel do të shërbente për të ndrequr këtë asimetri dhe për t’i dhënë një tjetër dimension procesit të dialogut. Garancitë do të jenë të nevojshme jo vetëm për të ndihmuar palët në arritjen e një marrëveshjeje, por edhe për implementimin e saj.

Para zgjedhjeve të nëntorit, fushata Biden-Harris e bëri të qartë se, si President i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të punonte “me Bashkimin Europian për të rivitalizuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” Ata angazhoheshin të ndihmonin në ndërmjetësimin e një “marrëveshjeje stabilizuese, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve, që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe sjell njohjen e ndërsjelltë”.

Tani, administrata Biden nuk duhet ta humbasë mundësinë për të pasur sukses në Ballkan.

Advertisement

 

Publikuar fillimisht në Balkan Insider.

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy