
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja ka postuar një foto, përmes së cilës tregon mënyrën më të mirë për të ulur fëmijet në automjet, me qëllim shmangien e rrezikut nga aksidenti.
Ai këshilloi prindërit që të përdorin ndenjëset e posaçme për fëmijët dhe mos t’i mbajnë në prehër.
Gonxhja iu bëri thirrje prindërve që të marrin masa ndërsa janë në timon, duke siguruar udhëtimin për vete dhe fëmijët e tyre.
Postimi i plotë:
Një numër befasues prindërish vendosin jetët e fëmijëve të tyre në rrezik kur drejtojnë makinën, duke mos përdorur ndenjëset e posaçme për fëmijë, duke udhëtuar të pasiguruar me rripa sigurimi e duke ngarë mjetin me fëmijë në këmbë a në prehër, apo duke i ulur fëmijët në sediljet përpara jo konform normave!
A E DINI SE?
Përdorimi i ndenjëseve për fëmijë redukton mundësinë për dëmtime fatale te foshnjat me 71%!
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësise, 500 fëmijë humbin jetën çdo ditë nga aksidentet rrugore!
Kur udhëtoni me familjen, merrni masat që fëmija juaj të jetë sa më i sigurt!
Përdoreni gjithmonë ndenjësen për fëmijë, në çdo udhëtim!
Zgjidhni një ndenjëse të përshtatshme, sipas peshës dhe gjatësisë së fëmijës!
Zgjidhni një model të certifikuar, që përmbush standardet e nevojshme të sigurisë (etiketë E që tregon se përmbush Standardin ECE të Kombeve të Bashkuara)!
Të gjithë mund të luajmë një rol për sigurinë rrugore! Jep kontributin tënd, shpëto jetë!