ANALIZA: Pse Kosova kërcënohet nga e djathta ekstreme e Evropës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Pse Kosova kërcënohet nga e djathta ekstreme e Evropës

Nga Angela Mauro

“Huffington Post Italia”

Kosova e Veriut ndodhet në kufi me Serbinë. Aty ka gjetur “strofullën” e saj edhe “zemra e zezë” e Evropës. Aty ka lindur aleanca e re e lëvizjeve ultra të djathta, e udhëhequr nga Roberto Fiore, që tashmë gjendet i arrestuar për shkak të përleshjeve të fundjavës së kaluar në Romë.

Kjo aleancë përpiqet që të përhapet, duke i fryrë tensioneve midis serbëve dhe kosovarëve. Pikërisht atje, në pjesën veriore të Kosovës, ku kanë shpërthyer ditët e fundit përplasje të ashpra midis policisë kosovare dhe pakicës serbe, do të takohet në mesin e muajit nëntor e ashtuquajtura “Aleanca për Paqe dhe Liri”, e drejtuar nga kreu i Forza Nuova, partisë italiane të ekstremit të djathtë, pas kongresit që mbajti në Beograd më 26 shtator.

Advertisement

Motoja kryesore:krahas nacionalizmit serb kundër pavarësisë së Kosovës, një lëvizje kundër Bashkimit Evropian dhe kundër NATO-s. Nëse historia do të përfundonte këtu, kjo mund të cilësohej si një përpjekje e një grushti ekstremistësh për të krijuar një rrjet të nacionalizmit evropian, pas dështimit thelbësor të aleancës sovrane midis Viktor Orban, polakëve të Partisë Ligj dhe Drejtësi (PIS), LEGA të Matteo Salvinit, Fratelli D’italia, Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen, gjermanëve të AfD, të ndarë në grupe të ndryshme evropiane.

Por historia nuk përfundon këtu. Dhe kjo sepse tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës janë shumë reale, dhe në fakt aktuale. Ato nuk u zbutën asnjëherë që prej luftës së viteve1998-1999, ndaj u rishfaqën javët e fundit.

Pak ditë më parë, në kufi pati përplasje dhe disa të plagosur midis policisë kosovare dhe civilëve serbë. Dhe pastaj janë tensionet që nuk po gjejnë dot një “arbitër në Bruksel”, autoriteti më i afërt, që duhet të ketë më shumë interes se të tjetër mbi një proces të vërtetë ndërmjetësimi.

Por Bashkimi Evropian nuk mundet të bëjë këtë. Pesë shtete anëtare – Spanja, Greqia, Rumania, Qipro, Sllovakia – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ashtu si qeveria e Beogradit e cila e konsideron ende atë një provincë jugore me shumicë shqiptare. Kjo qasje ka disa arsye.

Advertisement

Për shembull, Madridinuk e njeh Kosovën,për të mos i dhënë mbështetje kërkesave të pavarësisë së rajonit të Katalonjës. Pasoja është bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Pastaj është kundërshtimi i Francës dhe Holandës ndaj zgjerimit të unionit në lindje, nga frika e një anëtarësimit të ri të nxituar sikurse ndodhi në vitin 2007me Rumaninë dhe Bullgarinë, edhe për shkak të frikës nga flukset e reja migratore në tregun e përbashkët pas hyrjes së vendeve të reja.

Për këto arsye, samiti i udhëheqësve evropianë mbi Ballkanin i zhvilluar më 6 tetor në Slloveni, vend që mban presidencën e radhës së BE-së, përfundoi pa një datë konkrete për negociatat me vendet aspirante. Sigurisht, këtu ndikoi shumë edhe fushata elektorale e Emmanuel Macron për zgjedhjet presidenciale në Francë vitin e ardhshëm.

Në këtë boshllëk të pranisë evropiane në rajon, e djathta ultra-nacionaliste e kontinentit po përpiqet që të marrë vendin e saj. Më26 shtator, së bashku me Roberto Fioren dhe Forza Nuova, në kongresin e Beogradit ishin të pranishëm edhe Yvan Benedetti i Partisë Nacionaliste Franceze (Pnf), e krijuar në vitin 2013 nga shpërbërja e Oeuvre Francaise, e nxjerrë jashtë ligjit për shkak të propagandës antisemitike, raciste dhe nacionaliste. Po ashtu në të merrte pjesë edhe Manuel Andrino i Falangës Spanjolle, një parti që e konsideron veten një pasardhëse e drejtpërdrejtë e Falangës Fashiste të viteve 1930.

I pranishëm ishte edhe Gonzalo Martín García i lëvizjes spanjolle të së djathtës ekstreme Democracia Nacional. Nuk mungonin as Yiannis Zografos, kreu i Elasyn, parti e ekstremit të djathtë e lindur pas shpërbërjës së Agimit të Artë, që u shpall një organizatë kriminale dhe për këtë arsye u nxor jashtë ligjit pas arrestimit të eksponentëve të ndryshëm (përfshirë eurodeputetin Ioannis Lagos).

Advertisement

Në Kongres merrte pjesë edhe nacionalisti rumun Cristi Grigoraș nga partia Noua Dreapta. Aktivitetin e ndoqi edhe një delegacion rus, ndërsa i pranishëm ishte edhe Misha Vacic, kreu i së djathtës ultra-nacionaliste serbe, që në kohën e luftës ishte vetëm 13 vjeç. Vacic është përfaqësues i një brezi të ri që po nxit tensionet me kosovarët.

Pikat themelore të “platformës” së tyre (mund të lexohen në faqen e tyre të internetit):“Jemi në favor të një Kosove serbe, që nuk është më e skllavëruar nga fuqitë ndërkombëtare dhe as e pushtuar nga ushtritë e komunitetit evropian” dhe “synojmë të krijojmë një lëvizje opozitare në të gjithë Evropën kundër tiranisë shëndetësore,që në Itali dhe Francë kërkon të shkatërrojë dinjitetin dhe shëndetin e popujve”.

Pra ata janë kundër “pasaportave të vaksinave”.Fakti është se rreth këtyre pretendimeve ekziston një botë që po vlon nga zemërimi dhe urrejtja etnike. Përveç përplasjeve në veri të Kosovës, pati edhe akuza të rënda reciproke. Policia kosovare u sulmua me granata dore, si dhe pati të shtëna armësh gjatë një operacioni kundër kontrabandës.

Ndërkohë serbët thonë se ata janë sulmuar sepse janë serbë. Brukseli është i alarmuar. “Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin, nuk janë të pranueshme. Të gjitha çështjet që mbeten të hapura duhet të trajtohen me ndërmjetësimin evropian”- komenton Përfaqësuesi i Lartë i BE -së për Politikën e Jashtme Josep Borrell.

Advertisement

Por ndërmjetësimi i fundit evropian mbi të ashtuquajturën “çështja e targave”, po tregon që tani lëkundjet e veta. “Lufta” e re do të nisë kur Prishtina të vendosë një targë kosovare, me fjalët “Republika e Kosovës”tek automjetet që vijnë nga Serbia para se të hyjnë në vend. Ideja ishte që të vendoset reciprociteti me Beogradin, duke qenë se që prej vitit 2011, Serbia nuk ka lejuar qarkullimin e automjeteve me targa kosovare, por kërkon që shfaqja e targës serbe të paguhet me një tarifë prej 3.5 euro.

Marrëveshja e arritur vetëm dy javë më parë me ndërmjetësimin e Brukselit, parashikon përdorimin e etiketave të përkohshme në vend të targës, një zgjidhje e përkohshme në funksion të negociatave të mëtejshme që do të nisin më 21 tetor, dhe që sidoqoftë duhet të zgjasin 6 muaj.

Një kohë shumë e gjatë. Dhe problemi i vërtetë është ai i perspektivës. Ballkani i lënë mënjanë nga BE, dhe duke qenë një terren pjellor për nacionalizmat, ka rënë tashmë“pre” e ekspansionizmit të Rusisë dhe Kinës, dy shtete që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Për shembull, Serbia përdori kundër Covid-19 vetëm vaksinat kineze. Rusia është prej kohësh ushtarakisht aktive në Serbi, duke zhvilluar disa stërvitje zyrtarisht në fushën e antiterrorizmit. Ndërkohë NATO ka forcuar patrullat e saj në Kosovë.

Advertisement

Këtë situatë të tensionuar po përpiqet që ta shfrytëzojë e djathta ekstreme. Disa ditë më parë disa serbë që nuk e quajnë veten nacionalistë, protestuan para Parlamentit në Beograd duke bërtitur:“Ju e keni tradhtuar Kosovën! Kosova është zemra e Serbisë”. Ndërkohë presidenti serb Aleksandër Vucic, u takua me një përfaqësi të serbëve të Kosovës, ku përsëriti “mbështetjen e tij të plotë” kundër “politikës provokuese dhe shtypëse” të Prishtinës. Ndërkohë që situata paraqitet shumë e tensionuar,BE po tregohet shumë ngadaltë me reagimin e saj.(Bota.al)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy