Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha, nga Vlora ka mbrojtur vendimin për përjashtimin e liderit historik të demokratëve, Sali Berisha.
Ndërsa shpalosi para të rinjve vlonjatë programin e tij për rikthimin në krye të Partisë Demokratike, Basha theksoi se PD nuk duhet të bëjë hapa pas.
LULZIM BASHA
KRYETAR I PD
Advertisement“Nuk ka asnje arsye per tu kthyer prapa, perfshi edhe vendimin e 9 shtatorit. Nese ka dicka qe mund te korrigjoja eshte ta kisha marre me heret kete vendim.”
Basha premtoi se ai synon të rikthehet në politikë me 3 premtime, hapjen e listave, të cilën ai e ka kërkuar në vitin 2020, vetingun e politikanëve, që e ka premtuar në vitin 2018 dhe kufizim e mandateve për kryeministrin, që e ka premtuar në vitin 2017, kur PD ishte ngujuar në çadër para kryeministrisë.
“Nuk jane thjesht deshira, projekte, synimi, por eshte nje vision qe nuk buron thjesht nga une, por buron nga ju. Listat e hapura kane qene vullnet popullor qe ne 2020-en. Ndaj le t’i japim energji dhe ta ccojme perpara.”
14 muaj pas dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shfrytëzoi humbjen e thellë të opozitës në zgjedhjet lokale, për të nisur një lëvizje për të rimarrë detyrën e kryetarit të PD. Deri tani bie në sy se disa prej anëtarëve të kryesisë kanë dalë në krah të Bashës në këto takime, por deri tani asnjë deputet nuk ka marrë pjesë në turin e ish-kryetarit.
Të martën, grupimi i demokratëve që mban logon e PD do të vendosë për rrugën ku do të ecë kjo forcë politike. Një pjesë mbështet hapjen e garës për kreun e ri të partisë, por një pjesë tjetër kërkon që hapat për ristrukturimin e PD të hidhen më ngadalë, të tentohet bashkimi me demokratët e drejtuar nga Sali Berisha dhe kryetari i ri të zgjidhet në një moment tjetër.
Mbetet për t’u parë se cili prej këtyre grupimeve do të fitojë në mbledhjen e kryesisë së PD.