
Kryeprokurori Olsian Çela raporton sot në Kuvend lidhur me punën e bërë nga institucioni që ai drejton gjatë vitit 2024.
Pasi prezantoi raportin, Çela iu përgjigj pyetjeve nga opozita. Pyetja e parë ishte nga nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj lidhur me krimin elektoral dhe përdorimin e administratës në fushatën zgjedhore për 11 majin, fakt që sipas Gjekmarkajt është evidentuar edhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR të publikuar pak ditë më parë.
Çela u shpreh se në lidhje me krimet zgjedhore janë marrë disa masa, ndërsa disa hetime janë ende në vijim.
Çela: Për sa i përket krimeve zgjedhore janë marrë disa masa. Në fakt kjo është çështje e vitit 2025. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, në forcimin e koordinimit institucional me KQZ. Për të pasur një qasje të koordinuar qoftë të masës institucionale ose ndër institucionale. Në vijim të kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, nga ana jonë u riorganizuan dhe puna brenda sistemit të Prokurorisë. U ngritën senksione të posaçme për të hetuar krimin zgjedhor. Pra këto ishin masat që u morën, për të përforcuar hetimin në lidhje me këto krime. Janë një sërë çështjes penale që kanë filluar të hetohen.
Kryeprokurori Çela u pyet gjithashtu edhe për rastin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila është akuzuar nga Sali Berisha se ka qenë e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentash.
Olsian Çela, theksoi se procesi i hetimit nuk ka një afat të caktuar. Ai shpjegoi se çdo afat mund të zgjatet me tre muaj, sipas nevojës, dhe se ligji kërkon një verifikim të plotë para se rezultatet të dorëzohen tek organi që ka kërkuar informacionin.
Çela: Ky proces nuk ka afat, çdo afat e zgjasim tre muaj sa herë është e nevojshme. Ligji na ngarkon të bëjmë një verifikim të plotë dhe më pas t’ja dërgojmë organit që ka kërkuar verifikimet. Në rastin ën fjalë çështja varet nga autoritetet e huaja sepse kemi kërkuar të dhëna të plota. Sa i përket komunikimit ne verifikimi na është kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sa i përket komunikimit me SPAK kemi pasur komunikime përkatëse. Mund të them që prokuroria është përpjekur të tregohet transparente, kështu që kushdo që do ketë nevojë të marrë informacione patjetër që informacioni do tju përcillet./vizionplus.tv