Rënia drastike e euros në raport me lekun është një fenomen që kurrsesi, nuk duhet lënë në rënie të lirë – kështu shprehet shoqata e eksportuesve në një letër ankese publike, drejtuar guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Ministres së Ekonomisë, Delina Brahimaj.
Zhvlerësimi i monedhës europiane, sipas eksportuesve, ka dëmtuar dhe po vazhdon të dëmtojë rëndë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve, që shoqërohet edhe me ndikim shumë negativ në ekonomi.
Ndërsa kërkojnë një përgjigje nga banka qendrore dhe qeveria, shoqatat theksojnë se ‘ulja e kostove të importit, që sjell si pasojë edhe uljen e eksportit, nuk është tregues i një ekonomie të fortë, po përkundrazi, rrezikohet kthimi në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992.’
Më tej, shoqatat theksojnë se nga zhvlerësimi i euros, e cila është gati në nivelet 1 me 1.1 me dollarin amerikan dhe 1 me 110 në lekë, përfitojnë vetëm individë dhe importues të veçantë dhe jo qytetarët.
Ky fenomen po ju kushton shqiptarëve vendet e punës, reduktimin e mundësive të reja për punësim, mos rritjen e pagës, e sipas eksportuesve do të sjellë dhe më pak të ardhura në arkën e shtetit.
Prandaj thirrje e tyre drejtuar Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave është që të bëhet sa më parë një analizë e detajuar e situatës dhe të këtë një zgjidhje që do të çojë sa më shpejt në normalizimin e situatës në tregun valutor.